Hyrje në dialog
Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë filloi më 8 mars 2011 në Bruksel, Belgjikë. Në fazën e parë të procesit, Edita Tahiri udhëhoqi delegacionin e Kosovës, Borko Stefanovic e udhëhoqi delegacionin e Serbisë, ndërkaq këshilltari Robert Cooper e lehtësoi këtë proces. Dialogu filloi me tema teknike, të cilat kishin për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë. Në përgjithësi, periudha nga viti 2011 deri në 2013, shënoi procesin e dialogut teknik. Gjatë kësaj periudhe, u konkretizuan shumë marrëveshje të rëndësishme si: Marrëveshja për Librat e Gjendjes Civile (2011); Marrëveshja për Regjistrat Kadastral (2011); Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes (2011); Marrëveshja për IBM-in (2011); Marrëveshja për Njohjen e Diplomave (2011); Marrëveshja për Vulat Doganore (2011); Marrëveshja për Përfaqësimin dhe Bashkëpunimin Rajonal (2012); Marrëveshja për Mbledhjen e të Hyrave Doganore (2013); Marrëveshja për Telekomin (2013); dhe Marrëveshja për Energjinë (2013).
Natyra e dialogut pësoi ndryshim më 19 prill 2013, kur Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjen e Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve. Nga viti 2013 e tutje, filloi procesi i dialogut politik e negociatat u zhvendosën në nivelet më të larta të përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë (presidentët dhe kryeministrat).
Marrëveshja e Parë mbi Parimet që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve, shpesh quhet edhe Marrëveshja e Brukselit dhe si e tillë, shërben si një marrëveshje kornizë për disa tema të ndjeshme. Kjo marrëveshje adresoi çështjen e Asociacionit/Komunitetit të komunave me shumicë serbe (AKS/KKS), Integrimin e strukturave paralele Serbe të Drejtësisë, Policisë dhe të Mbrojtjes Civile (në komunat veriore), në sistemin e Kosovës si dhe mbajtjen e Zgjedhjeve Lokale, në katër komuna veriore (Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan), nën juridiksionin e Kosovës.
Kjo marrëveshje hapi rrugën për marrëveshje tjera, që u negociuan dhe u konkluduan, duke përshirë tema të tilla si: Parimet e Përgjithshme/Elementet Kryesore të AKS/KKS (2015), Integrimi i Mbrojtjes Civile (2015) dhe Marrëveshja për Drejtësinë (2015). Gjatë kësaj periudhe, marrëveshje tjera të ndjeshme u arritën si Marrëveshja për Heqjen e Barrikadës dhe Revitalizimin e Urës së Mitrovicës (2014) dhe Marrëveshja për Shkëmbimin e Zyrtarëve Ndërlidhës (2013).
Negociatat u zhvilluan në tre nivele: niveli i lartë politik, niveli teknik dhe niveli i grupeve punuese. Disa nga temat u diskutuan më tepër para se të materializoheshin në marrëveshje konkrete e disa tema të tjera u diskutuan më pak. Për disa nga çështjet, ishte e vështirë të arrihej konsensus dhe/ose të nxitej interesi i ndërsjellë, për shembull: Trashëgimia Kulturore, Transparenca Financiare ose Personat e Zhdukur.
Deri më tani, ka mungesë të informacionit të plotë sepse nuk ka të dhëna të plota për procesin e dialogut dhe për të gjitha takimet e mbajtura.
Për disa persona, kjo është si rezultat i mungesës së transparencës, ndërkaq për të tjerët, i atribuohet natyrës së procesit në përgjithësi.
Për më shumë, https://bit.ly/38Or8xd
Lexo më shumë