Takimi mbi zbatimin e Marrëveshjes për Regjistrat Kadastral

Bruksel, 27 maj 2016

Më 27 maj 2016 delegacioni i Kosovës,  kryesuar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, zhvilloi dy takime në Bruksel.

Takimi i parë  është zhvilluar me përfaqësuesit e  BE-së, me ç ‘rast është biseduar për gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit,  ndërsa takimi i dytë ishte trilateral dhe u fokusua në zbatimin e marrëveshjes për regjstrat kadastralë.

Në takimin bilateral me Bashkimin Evropian, ministrja Tahiri ka kërkuar nga BE-ja që të rris angazhimet për zbatimin e marrëveshjeve për telekomin dhe energjinë nga ana e palës Serbe.

Ministrja Tahiri në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës tha se “se pa e marrë Kosova kodin e vet telefonik dhe pa pavarësimin e KOSTT-it, Kosova nuk do të fillojë procesin e zbatimit të marrëveshjes për AKS-në”.

Ministrja Tahiri edhe njëherë e ka ritheksuar se “ky asociacion do të formohet vetëm në bazë të ligjeve të Kosovës, Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive ashtu siç e konfirmoi edhe Përfaqësuesja e lartë e BE-së në fjalimin e saj në Parlamentin e Republikës së Kosovës me 5 maj 2016”.

Në orët e pasdites, delegacioni i Kosovës mori pjesë në raundin e ri të dialogut për zbatimin e marrëveshjes për regjistrat kadastrat,  i cili përfundoi pa ndonjë rezultat.

Delegacioni i Republikës së Kosovës për çështjen e kadastrit kryesohej nga ministrja Tahiri dhe në përbërje ishin Gazmir Raci, këshilltar dhe koordinator politik për kadastrin; Besim Kajtazi, drejtor i zyrës ligjore në Zyrën e Kryeministrit; Florije Kika, ushtruese e detyrës së zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë Kosovare të Pronës; Elona Cecelia, këshilltare politike e znj. Tahiri dhe Haxhi Bajraktari, këshilltar nga Ambasada e Kosovës në Bruksel.