Reciprociteti për Targat e Automjeteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Bruksel, 8 Shtator 2016

Më 8 Shtator 2016, në Bruksel, pas rreth 9 orësh negociatash intensive të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, u arrit një marrëveshje për reciprocitetin e plotë të targave ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Gjithashtu u vendos që të ndalohet përdorimi i targave “prova” të cilat ishin aplikuar në mënyrë të njëanshme nga pala serbe që nga viti 2011.

Kjo marrëveshje do të kontribuojë në lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, me ç’rast të dy vendet provuan se reciprociteti është parimi kryesor për marrëveshjet e dialogut dhe për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Zbatimi i kësaj marrëveshje ishte planifikuar të fillonte sapo të dy vendet të bënin përgatitjet teknike për këtë çështje. Ndërsa modeli i zbatimit bazohet në atë të aplikuar midis Greqisë dhe Maqedonisë. Ky avancim i marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, i arritur në 2011, do të lehtësojë më tej lëvizjen e qytetarëve të të dyja vendeve dhe do të zvogëloj pritjet në pikat kufitare, pasi që ndërrimi i targave RKS nuk do të kërkohet më.

Gjithashtu, në këtë takim u diskutua plani për heqjen nga qarkullimi të targave të paligjshme që qarkullojnë ende në veri të vendit.

Delegacioni i Kosovës njoftoi se po bëhen përgatitjet përfundimtare për hapjen e zyrave të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe zyrave të gjendjes civile në katër komunat veriore.

Delegacioni i udhëhequr nga Ministrja Edita Tahiri gjithashtu përfshinte Këshilltarin e saj Kryesor Politik dhe Koordinatorin Dren Zeka, Drejtorin e Zyrës për Planifikim Strategjik, Qemajl Marmullakaj, Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Driton Gashi, Këshilltaren Politike Elona Cecelia dhe Haxhi Bajraktari nga Ambasada e Kosovës në Belgjikë.