Një takim tjetër i dialogut teknik u mbajt në Bruksel

Bruksel, 10 tetor 2015

Më 10 tetor 2015, delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Ministrja për Dialogun Edita Tahiri, ishte në Bruksel ku mori pjesë në takimin e dialogut teknik kushtuar zbatimit të disa prej marrëveshjeve që kanë pasur ngecje dhe vonesa.

Ky takim ishte një vazhdimësi e bisedimeve të zhvilluara me 28 dhe 29 Shtator.

Diskutimi u fokusua në lirinë e lëvizjes, diplomat, funksionimin e zyrave të ndërlidhjes dhe kthimin e dokumenteve kadastrale nga Serbia.

Tema kryesore ishte liria e lëvizjes, përkatësisht zbatimi i reciprocitetit në çështjet e targave të regjistrimit të automjeteve. Në lidhje me këtë, Ministrja Tahiri ri-konfirmoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës  për aplikimin  e reciprocitetit për targat e regjistrimit. Ajo theksoi se Kosova ka vendosur të përdorë të drejtën e saj për masa të ndërsjella, të njohur me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes të vitit 2011.

Ajo më tutje shtoi se ky reciprocitet do të përfshijë tarifat administrative për këto targa dhe dokumentin e hyrje-daljes për qytetarët e Serbisë.

Sa i përket njohjes reciproke të diplomave, palët u pajtuan të zbatojnë marrëveshjen e re. Ministrja Tahiri poashtu përmendi bllokadën nga ana e Serbisë për të lejuar Qeverinë e Kosovës të dërgoje libra shkollorë në gjuhën shqipe për shqiptarët në Luginën e Preshevës, duke potencuar se dija dhe shkollimi janë në interes të secilit dhe duke paralajmëruar masa të ndërsjella edhe në këtë drejtim.

Në lidhje me çështjen e kthimit të dokumenteve kadastrale nga Serbia, u tha që Kosova duhet të miratojë sa më shpejt që të jetë e mundur ligjin për Agjencinë teknike për krahasimin dhe verifikimin e pronës sepse kjo do të hap rrugën për kthimin e dokumenteve kadastrale që Serbia ka marrë gjatë luftës.

Për Zyrat Ndërlidhëse,  palët u pajtuan të zgjerojnë hapësirat dhe të rrisin numrin e stafit të tyre.

Delegacioni i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Ministrja për Dialog Edita Tahiri, përbëhej nga: Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i Ministres Edita Tahiri dhe koordinator i dialogut; Driton Gashi, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme; Kreshnik Gashi, Sekretar i Përgjithshëm i MPJ; Xhelal Shaqiri, drejtori politik i MPJ; Valdet Sadiku, Zyrtari Ndërlidhës në Serbi; Qemajl Marmullakaj, Drejtori i OSP dhe koordinator i dialogut.