Takim lidhur me Njohjen Reciproke të Diplomave

Bruksel, 29 Shtator 2015

Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Ministrja Edita Tahiri, dhe i përbërë nga Ministrat Arsim Bajrami, Qemajl Marmullakaj, Hysen Bytyci dhe Arjeta Rexhaj, ka arritur një marrëveshje për njohjen reciproke të diplomave me delegacionin e Serbisë.

Përmes kësaj marrëveshje, palët u pajtuan të zgjerojnë fushëveprimin e saj për të përfshirë të gjitha nivelet e edukimit.

Ndërkaq sa i përket procesit të certifikimit të diplomave të institucioneve përkatëse të arsimit, i njejti do të vazhdojë përmes certifikimit nga Shoqata e Universiteteve Evropiane (EUA), të cilat më pas do të njihen nga vendet përkatëse. Kjo marrëveshje poashtu përcakton mekanizmin e monitorimit të procesit të zbatimit, i cili përbëhet nga tre palë (Kosova, BE-ja dhe Serbia).

Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të diplomave do të ndihmojë veçanërisht popullsinë shqiptare në Luginën e Preshevës të cilët zakonisht ndjekin studimet në institucionet e Kosovës dhe që kanë nevojë të kthehen në Serbi dhe të shërbejnë aty.

Në takim, Ministrat Tahiri dhe Bajrami, ngritën çështjen e shpërndarjes së librave shkollorë në Luginën e Preshevës dhe kërkuan ndihmën e BE-së në këtë drejtim.