Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka zhvilluar takime në Bruksel

Prishtinë, 4 korrik 2014

Zëvendës Kryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri ka zhvilluar takime bilaterale me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Gjatë vizitës, Tahiri është takuar me Drejtorin për Evropën Perëndimore dhe Ballkan në Shërbimin e Punëve të Jashtme të BE-së, Z. Fernando Gentilini dhe Drejtorin për Zgjerim i Komisionit Evropian për rajoninin, Z. Jean-Eric Paquet, si dhe Z. Alexis Hupin dhe Z. Bernd Thran, ndërmjetësues në fusha specifike të dialogut të Brukselit.

Në agjendën e këtyre takimeve ishte analiza e zbatimit të marrëveshjeve të dialogut të Brukselit, ku u vlerësuan arritjet dhe u identifikuan sfidat, duke kërkuar më shumë angazhim në të ardhmen.

Në takimin me Z. Gentilini, Tahiri theksoi përfundimin e suksesshëm të negociatave me BE-në për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, dhe në këtë drejtim ajo deklaroi se shumë shpejt Kosova do ta nënshkruaj këtë marrëveshje me BE-në. Ajo gjithashtu vlerësoi përparimin e bërë drejt liberalizimit të vizave, të shumëpritur nga qytetarët e Kosovës.

Për më tepër, ajo theksoi arritjet konkrete në vendosjen e rendit dhe ligjit në komunat veriore dhe në shpërbërjen e strukturave ilegale në fushat përkatëse. Sidoqoftë, ajo përmendi disa çështje  që duhet  zgjidhur siç është shpërbërja e strukturave të milicisë, e ashtuquajtura mbrojtja civile, arritja e planeve të zbatimit në fushën e drejtësisë, energjisë, telekomunikacionit, pastaj përmirësimi i IBM-it në ndërtesat e përhershme, etj. Tahiri veçanërisht ngriti çështjen e barrikadave të reja në urën e Ibrit dhe kërkoi angazhime shtesë nga Bashkimi Evropian për heqjen e tyre, ashtu siç ishte premtuar.