Takimi për çështjen e Heqjes së Barrikadave u mbajt në Bruksel

Bruksel, 23 korrik 2014

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, së bashku me delegacionin e Republikës së Kosovës, morën pjesë në takimin në Bruksel për çështjen e heqjes së barrikadave.

Tahiri prezantoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se “vendosja e barrikadave është e papranueshme dhe në kundërshtim me Ligjet e Kosovës dhe standardet evropiane” andaj ajo kërkoj që ato të largohen.

Në takimin bilateral me delegacionin e Republikës së Kosovës, Përfaqësuesi i BE-së z. Fernando Gentilini konfirmoi qëndrimin e BE-së se “barrikadat duhet të largohen, që të mundësohet liria e lëvizjes”.

Tahiri shtoi se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për veprime të koordinuara me Bashkimin Evropian, për heqjen e barrikadës në urën e Ibrit dhe pengesat rreth saj.

Zëvendëskryeministrja Tahiri siguroi të gjithë qytetarët e Mitrovicës se këto pengesa do të hiqen dhe Ura e Ibrit do të jetë rrugë nacionale ashtu siç ka qenë gjithnjë ku qytetarëve do të ju mundësohet të lëvizin lirshëm.

Në takimin tre palësh, me propozim të BE-së, palët u dakorduan për heqjen e barrikadave dhe revitalizimin e Urës në një proces gradual dhe në mënyrë paralele; proces në të cilin BE-ja do të angazhohet drejtpërdrejt duke përfshirë edhe asistencën financiare për projekte të cilat synojnë përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve të Mitrovicës.

Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë z. Samuel Zbogar, paraqiti planin e BE-së për urën.

Gjate muajit Shtator 2014, ekspertët e kontraktuar nga BE-ja do te dalin me rezultatet e vlerësimit për të vazhduar pastaj me revitalizimin dhe funksionalizimin e plotë të Urës së Ibrit në funksion të lëvizjes së lirë.

Palët u dakorduan për vazhdimin e moratoriumit i cili ndalon çfarëdo punimi për vendosje të barrikadave në atë pjesë, dhe në rast të mos respektimit të këtij moratoriumi institucionet relevante të Republikës së Kosovës do të reagojnë.

Në delegacionin e zëvendëskryeministres Edita Tahiri ishin: Fisnik Rexhepi, Këshilltar i lartë politik i Ministrit Rexhepi; Besnik Osmani, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal; Arben Çitaku, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor; Agim Bahtiri, Kryetar i Mitrovicës Jugore, Goran Rakic,  Kryetar i Mitrovicës Veriore; Sami Zeka,  Drejtor i Urbanizmit në Mitrovicën e Jugut dhe Ljubo Maric, anëtar i Ekipit Menaxhues për krijimin e Asociacionit.