Ministrja Edita Tahiri zhvilloi takime në Bruksel

Bruksel, 2 Prill 2015

Ministrja e Kosovës për Dialogun Edita Tahiri, gjatë qëndrimit të saj në Bruksel u takua me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe diskutoi në përshpejtimin e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura gjatë Dialogut të Brukselit.

Në këto takime, Tahiri vlerësoi lartë progresin e arritur gjatë kësaj periudhe në procesin e dialogut me nënshkrimin e marrëveshjes për çështjen e “Mbrojtjes Civile” dhe Drejtësisë.

“Këto zhvillime pozitive do të nxisin këtë proces dhe që duhet të shërbejnë për të avancuar zbatimin e marrëveshjeve në fushat ku janë identifikuar ngecje dhe vonesa,” tha Ministrja Tahiri.

Tahiri u fokusua posaçërisht në çështjen e kodit telefonik për Kosovën, në çështjen e energjisë, heqjes së barrikadës mbi lumin Ibër dhe në sigurimin e automjeteve.

Të dyja palët ranë dakord se ishte e nevojshme rritja e përpjekjeve në zbatimin e marrëveshjeve.

Lidhur me lirinë e lëvizjes, Ministrja Tahiri ka bërë  kërkesë për hapjen e një pike të re kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “Kapia e Sfircës”,  duke njoftuar BE-në se Kryetarët e komunave të Kamenicës dhe Medvegjës i’a kanë adresuar një kërkesë të tillë autoriteteve të vendeve përkatëse. Ajo theksoi se Qeveria e Kosovës është e gatshme të angazhohet në këtë drejtim sepse ky kalim kufitar do të lehtësonte lëvizjen e qytetarëve duke zvogëluar distancën për më shumë se 100 km.

Ata poashtu diskutuan lidhur me pengesat që janë paraqitur nga ndalja e veturave dhe autobusëve të Kosovës nga autoritetet serbe.

Ministrja Tahiri foli edhe për veprimet pozitive që po ndërmerren nga Zyra e BE-së në Kosovë për revitalizimin e Urës së Ibrit dhe heqjen e barrikadës në urë.

Gjatë diskutimeve mbi sigurimin e automjeteve, Ministrja Tahiri kritikoi Serbinë për mungesë të vullnetit për të nënshkruar marrëveshjen mbi sigurimin e automjeteve, me ç ‘rast kërkoi përkushtim më të thellë nga ana e BE-së. Ajo tha se për këto aranzhime palët kanë investuar rreth dy vite e vonesat e tilla rezultojnë në pasoja financiare për të qytetarët e të dyja palëve.

Ministrja Tahiri përmendi edhe nevojën që studentët e Luginës së Preshevës të pajisen me libra shqip.

Delegacioni i Republikës së Kosovës drejtohej nga Ministrja Tahiri dhe këshilltarët politikë, Dren Zeka dhe Gazmir Raci, njëkohësisht koordinatorë të Dialogut në Bruksel, si dhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Bruksel, Mimoza Ahmetaj.