Ministrja Tahiri refuzoi të bisedonte për Trepçën në Bruksel

Bruksel, 20 tetor 2016

Më 20 tetor 2016 është mbajtur një takim trepalësh për ta vlerësuar  zbatimin e marrëveshjeve të dialogut të Brukselit, me theks të veçantë në bllokadën që Serbia i’a krijoi marrëveshjes për telekom-in.

Me këtë rast ministrja Tahiri tha se dialogu i Brukselit ka dhënë rezultate të prekshme gjatë këtyre viteve, mirëpo kjo periudhë shquhet me tensione sidomos për faktin që Serbia bllokoi zbatimin e marrëveshjes për telekom-in.

Ministrja Tahiri kërkoi që BE-ja të vazhdoj angazhimet për zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes për telekom dhe energji, sepse që të dyja marrëveshjet po diskutohen qe pesë vite dhe nuk është arritur ndonjë rezultat konkret.

Pala serbe tentoi ta ngrisë në këtë takim edhe çështjen e Trepçës, por kjo u refuzua kategorikisht nga Kosova.  Sipas Tahirit, “Trepça është aset dhe pronë e Kosovës dhe si të tillë nuk e bisedojmë me askënd”.

Tahiri po ashtu theksoi se “kjo nuk është biseduar dhe nuk do të bisedohet asnjëherë në dialog”. Ajo shtoi se “një palë nuk mund të imponojë hapjen e temave në dialog sepse për një gjë të tillë kërkohet pajtimi i të dy palëve dhe ky është edhe parimi themelor i dialogut të Brukselit i cili bazohet në respektimin e juridiksioneve të të dyja shteteve”.