Marrëveshja për dy Pikat e reja Kufitare është arritur në Bruksel

Bruksel, 22 maj 2015

Më 22 maj 2015, u mbajt takimi i rradhës për implementimin e marrëveshjes së IBM-it dhe Lirisë së Lëvizjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Me këtë rast, Komisioni Evropian raportoi se janë në fazën përfundimtare të nënshkrimit të kontratës me UNOPS-in, si partner zbatues dhe se ndërtimi i objekteve të përhershme të IBM-it do të ndodhë së shpejti.

Buxheti i alokuar për ndërtimin e objekteve të përhershme të IBM-it nga fondet IPA për të dy vendet është mbi 21 milion.

Sa i përket marrëveshjes për hapjen e dy pikave të reja të kalimit kufitar midis Kosovës dhe Serbisë, Ministrja Tahiri u shpreh “Hapja e pikës së kalimit kufitar në Kapia Sfricës do të lehtësojë maksimalisht lëvizjen e lirë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës e veçanërisht të atyre nga Medvegja sepse do të shkurtojë distancën e udhëtimit për rreth 100 km. Me fjalë të tjera, tani përmes kësaj pike kufitare , njerëzit do të mund të vijnë në Kosovë për vetëm 28 kilometra. Për më tepër, kjo pikë e re e kalimit kufitar do t’i mundësojë Diasporës sonë qasje më të lehtë për në Kosovë, gjatë periudhës së verës dhe pushimeve”.

Bazuar në analizat e ekspertëve, vlerësohet se kjo pikë e re e kalimit kufitar do të ndihmojë në përmirësimin e situatës ekonomike të banorëve të kësaj zone, pasi terreni është shumë i përshtatshëm për turizmin rural.

Një pikë tjetër e kalimit kufitar do të hapet në pjesën veriore të Kosovës përkatësisht afër komunës së Zubin Potokut, funksionaliteti i të cilës do të kontribuojë në luftën kundër fenomeneve negative të tilla si kontrabanda.

Në këtë takim u konkludua se zbatimi i marrëveshjes deri më tani ka qenë përgjithësisht i kënaqshëm.

Palët poashtu diskutuan edhe në përparimin e metejshëm të marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes,  dhe për eliminimin e burokracisë nga pala serbe, veçanërisht gjatë sezonit të verës, kur fluksi në pikat e kalimit kufitar me Serbinë rritet për shkak të vizitave të diasporës në Kosovë.

Delegacioni i Republikës së Kosovës përbëhej nga Ministrja Edita Tahiri; Besnik Osmani, sekretari i përgjithshëm i MAPL; Arben Çitaku, sekretari i përgjithshëm i MMPH; Driton Gashi, sekretari i përgjithshëm i MPB-së; Lulzim Rafuna, drejtori i Doganave të Kosovës; Dren Zeka, këshilltar i lartë politik dhe koordinator për IBM; Fisnik Rexhepi, anëtar i Grupit për implementim dhe këshilltar i lartë i Ministrit Çollaku; Qemajl Marmullakaj, drejtor i Zyrës së Planifikimit Strategjik në ZKM; anëtar i grupit për implementim, Shaban Guda; Bekim Mehmetaj dhe Bashkim Arifi nga Doganat e Kosovës.