Në 9 vjetorin e Marrëveshjes së Parë të Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve, një Marrëveshje e dytë dhe finale mes Kosovës dhe Serbisë duket ende larg

Violeta Haxholli

27 prill 2022

Me 19 prill të këtij viti bëhen 9 vjet që kur Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen e ashtuquajtur Marrëveshja e Parë e Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy vendeve . Kjo marrëveshje e arritur në vitin 2013 ishte një nga marrëveshjet më të rëndësishme të procesit të dialogut që kishte filluar me 8 mars të vitit 2011.

11 vjet nga fillimi i këtij procesi dhe 9 vjet nga arritja e kësaj marrëveshje, Kosova dhe Serbia nuk duket të jenë afër një marrëveshje finale që do të përmbyllte dialogun dhe kontestet mes dy vendeve. Procesi aktualisht qëndron në mbi më shumë se 35 dokument marrëveshje, shumica prej të cilave nuk janë zbatuar në plotëni. Ndërsa, në vend se procesi të ec përpara drejt diskutimit të elementeve të marrëveshjes finale, dialogu i është rikthyer temave siç janë tabelat e veturave, pjesë e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, e cila ishte arritur fillimisht në vitin 2011. Pas vendosjes së reciprocitetit nga ana e Kosovës mbi tabelat e veturave në shtator të vitit të kaluar dhe rezistencës nga ana e Serbisë ndaj këtij vendimi, palët rifilluan diskutimet rreth kësaj teme, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Edhe pse u vendos një afat prej 6 muajve për të arritur një marrëveshje të re, kjo ende nuk ka ndodhur ndonëse ky afat tashmë ka përfunduar.

Çështja e tabelave të veturave që prek direkt jetën e qytetarëve por edhe çështje tjera të kësaj natyre siç janë p.sh njohja e diplomave që ende hasin në sfida të zbatimit, dëshmojnë që dialogu ka devijuar nga qëllimi fillestar për të cilin ishte nisur. Rezoluta e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara e vitit 2010 mbi bazën e të cilës kishte filluar dialogu Kosovë-Serbi, përcaktonte që ky dialog ndër të tjera do të përmirësonte jetën e qytetarëve, do të nxiste bashkëpunimin dhe përparimin e dy vendeve në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

As marrëveshja për lirinë e lëvizjes e vitit 2011 dhe as marrëveshja tjetër e vitit 2016 për të njëjtën çështje, nuk e kanë përmirësuar jetën e qytetarëve. Në fakt ato vetëm sa e kanë vështirësuar jetën e tyre. Mbi bazën e këtyre marrëveshjeve qytetarët që kalojnë kufirin mes dy vendeve duhet të presin për procedurat kufitare në pikat e kalimit mes Kosovës dhe Serbisë, siç janë lëshimi i dokumentit identifikues nga ana e Serbisë dhe modalitetet e ndërrimit të tabelave të veturave apo tani vendosja e stikerave mbi tabela.

Por si do të përmirësohet jeta e qytetarëve me marrëveshjen e re për lirinë e lëvizjes/tabelat e veturave, nëse një e tillë arrihet, kjo mbetet të shihet. Ndërsa se a do të vazhdojnë palët me diskutimet mbi elementet e marrëveshjes finale edhe kjo ende nuk është e qartë. Kjo sepse publiku në këtë proces gjithmonë ka qenë pak i informuar se çfarë po ndodh, deri sa janë vendosur para aktit final siç ka qenë një dakordim i ri apo tekst marrëveshje që është bërë publike vetëm pasi është arritur.

Sido që të jetë edhe nëse diskutimet mbi elementet e kësaj marrëveshje fillojnë së shpejti, ka shumë çështje në ato elemente mbi të cilat Kosova dhe Serbia duhet të dakordohen në mënyrë që të arrihet një marrëveshje finale mes dy vendeve. Çështje që janë edhe më të komplikuara se tabelat e veturave. Duke parë zhvillimet mbi këtë të fundit është pak e pritshme që diskutimet dhe dakordimet mbi elementet e marrëveshjes finale të zhvillohen në një afat të shpejtë kohor. Prandaj edhe arritja e marrëveshjes finale mes dy vendeve duket të jetë ende larg.

Përafrimit tek marrëveshja finale nuk po i kontribuon as atmosfera mes dy vendeve. Gjuha e përdorur dhe veprimet destruktive pothuajse në vazhdimësi gjatë procesit të dialogut i kanë antagonizuar edhe më shumë palët. Së fundi policia kufitare e Kosovës është sulmuar disa here radhazi me mjete të forta në pikën kufitare Kosovë-Serbi, ndërsa institucionet e Kosovës e kanë bërë përgjegjëse Serbinë për këto akte. Si për ironi kjo ndodh pikërisht në prag të 9 vjetorit të arritjes së Marrëveshjes së Parë të Parimeve mbi Normalizimin e Marrëdhënieve. Në atë kohë ndoshta pak kush do ta kishte menduar që edhe pas 9 viteve Kosova dhe Serbia do të ishin në të njëjtën pikë në raportet reciproke apo ndoshta edhe duke u përkeqësuar. Pak kush do ta kishte menduar edhe ndoshta që dialogu mes dy vendeve nuk do të përfundonte me një marrëveshje finale as më shumë se një dekadë që nga fillimi i këtij procesi në mars të vitit 2011.

Ndoshta këta dy muaj të këtij viti me përvjetorët përkatëse duhet të shërbejnë si moment reflektimi për palët që ti qasen procesit të dialogut në mënyrë konstruktive, duke evituar diskursin dhe veprimet që i largojnë më tutje dy vendet nga marrëveshja finale. Qëllimi këtu duhet të jetë me të vërtetë që dialogu ti shërbejë përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe avancimit drejt integrimit evropian. Në të kundërtën të dy shtetet do të shkojnë drejt një dekade të re të dialogut duke e lënë këtë proces pengesë për jetën e qytetarëve dhe pengesë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Ky artikull është shkruar në gjuhën shqipe.

Ky artikull financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe nuk reflektojnë pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.