Enigma e politikës Serbe në vitin 2022- nuk ka Dialog të Brukselit në horizont

Dušan Milenković

28 prill 2022

Dinamikat e politikës së brendshme po ndikojnë në dialogun Kosovë-Serbi dhe në prospektet e arritjes së rezultateve të prekshme. Një gjë e tillë është konfirmuar sidomos pas formimit të qeverisë së dytë të Kurtit, politika e të cilit “dialogu nuk është në listën e prioriteteve të mija” e ka inkurajuar shtangimin e dialogut. Në të njëjtën kohë, përpjekjet e tij për të fituar (apo mbajtur) mbështetjen e publikut përmes veprimeve që sillen rreth shtypjes së popullsisë Serbe dhe mbylljes së syve për krimet ndaj Serbëve, kanë kontribuar më shumë në dobësimin e procesit të dialogut.
Sidoqoftë le të fokusohemi në situatën politike të Serbisë dhe si ajo po e afekton dialogun, pa marrë parasysh veprimet e Prishtinës. Nëse përqendrohemi vetëm tek politika e Beogradit për qëllim të këtij diskutimi, mund te vërejmë trende të pafavorshme për procesin e dialogut.

Rënia e influencës së Vuçiqit

Vuçiq ka pasur fuqi të mjaftueshme për të nënshkruar dhe implementuar një marrëveshje me Kosovën. Kjo ka ndryshuar që nga pjesa e dytë e vitit 2021 kur aftësia e tij për të ndikuar në publikun Serb ka rënë dramatikisht si pasojë e dështimit për të ndikuar në tri çështje në Serbi: e para, pavarësisht kampanjës së tij, vetëm gjysma e popullsisë Serbe u vaksinuan kundër Covid; e dyta, mbështetja e tij për nxjerrjen e litiumit në Serbi (projekti Rio Tinto) përfundoi në humbjen e tij kundrejt qytetarëve të nervozuar që bllokuan gjithë vendin për javë të tëra; dhe së treti, pjesëmarrja në referendumin kushtetues (që e kishte organizuar ai dhe qeveria e tij) ishe 30%, që ishte goditje e rëndë për dike që kishte deklaruar në memorandumin maqedonas për ndërrimin e emrit “Imagjinomëni mua duke ftuar njerëz në referendum dhe ne përfundojmë me vetëm 25% apo 35% pjesëmarrje… kjo është e pamundur…”.

Lufta në Ukrainë

Falë burimeve gati të pa limituara për kampanjën zgjedhore, Vuçiq dhe ekipi i tij arritën të qetësojnë ndryshimin e papritur të diskursit politik në Serbi teksa Rusia sulmoi Ukrainën. Kjo ia mundësoi atij që t’i shmanget pasojave politike në Ditën e Zgjedhjeve, por është larg brigjeve të qeta. Ai është në presion të madh për të bërë Serbinë që të vendos sanksione ndaj Rusisë, gjë që i duhet ta bëjë shumë shpejt, ndonëse ju lejua një periudhë qetësimi deri në përfundim të zgjedhjeve. Krizat në Ukrainë kanë lënë në hije shumë çështje globale, dhe e njëjta ka ndodhur me dialogun Kosovë-Serbi në nivel rajonal. Çështja e influencës së Rusisë në rajon është, prapë, prioriteti kryesor i fuqive perëndimore, dhe po dominon diskursin në nivel rajoni gjatë kësaj periudhe, sidomos kur bëhet fjalë për politikën e jashtme të Serbisë.
Do të thoja se mund të presim më shumë lëshime ndaj Vuçiqit kur (jo nëse) ai do të vendos sanksione ndaj Rusisë, duke i dhënë hapësirë për të mos u përfshirë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe mbylljen e procesit të dialogut.

Zgjedhjet 2022

Zgjedhjet e datës 3 prill në Serbi kanë sjellë një ambient politik të ri, dhe kanë ulur më tutje fuqinë e Vuçiqit; ndonëse për dikë që nuk e ndjek politikën Serbe nga afër mund të duhet si fitore e pastër. Vuçiq ka fituar zgjedhjet presidenciale, dhe partia e tij ka fituar 120 ulëse (126 është shumica). Ky përbën
disavantazh për zbatimin e vendimeve politike, sepse për herë të parë që nga viti 2014 ai nuk e kontrollon shumicën dhe varet në partnerët e koalicionit (partnerët potencial janë, kryesisht pro Rus dhe kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë). Në fakt, ka të ngjarë që do të shohim një krizë politike ose edhe zgjedhje të parakohshme në Serbi brenda 12 muajve. Për të shpjeguar këtë pozicion në detaje do të duhen shume më shumë faqe, mirëpo me pak fjalë mund të thuhet se pozita aktuale e Vuçiqit është dobësuar për të marrë çfarëdo vendimi politik, qoftë lidhur me Rusinë apo Kosovën.
Prandaj mendoj që është e rëndësishme që të adresohen të dyja këto çështje, në mënyrë paralele dhe brenda të njëjtit vit, sidomos për faktin se bartin rreziqe që do ta zvogëlonin fuqinë e tij deri në atë nivel që ai ta humb atë.
Këto tri trende dhe ngjarje janë të lidhura, dhe së bashku janë të fuqishme mjaftueshëm për të larguar komplet çështjen e Kosovës nga horizonti i vendimmarrësit (ve) në Serbi. Nëse dialogu nuk largohet tërësisht në vitin e ardhshëm ose vitin pas tij, do të shndërrohet (prapë) në çështje që do të duhet të adresohet nga ndonjë akter politik në Serbi, pa prospekte të qarta se kur do të kemi një mandat të fortë politik në duart e kujtdo për ta zgjidhur atë efektivisht.

Ky artikull fillimisht është shkruar në Gjuhën Angleze.

Ky artikull financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe
nuk reflektojnë pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.