Takimi i rregullt për Sigurimet Kufitare të Automjeteve

Romë, 25-26 janar 2014

Më 25 dhe 26 janar 2014, delegacioni i Republikës së Kosovës, udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e radhës për sigurimet kufitare të automjeteve, të mbajtur në Romë.

Bisedimet u përqendruan në gjetjen e një zgjidhje më të mirë për çështjen e sigurimeve kufitare të cilat do të ofronin çmime më të favorshme dhe lehtësim të lëvizjes së lirë për qytetarët e të dyja shteteve.

Pala e Kosovës ka kërkuar që një marrëveshje mundshme duhet të mbështetet në parimet e reciprocitetit.

Në këto takime palët i diskutuan të gjitha aspektet e rëndësishme të këtij procesi, këmbyen pikëpamjet në lidhje me modelet më të mira evropiane për bashkëpunimin në mes të shteteve në fushën e sigurimeve kufitare të automjeteve, përkatësisht në bashkëpunimin në mes organizatave të industrisë së sigurimeve të shteteve përkatëse.

Bisedimet për këtë çështje do të vazhdojnë më tutje në takimet që do të mbahen së shpejti, me synim që të arrihet një marrëveshje që do ta ketë për bazë interesin e qytetarëve.

Pala e Kosovës ka vlerësuar se pjesëmarrja e Byrosë evropiane të sigurimeve në këtë marrëveshje si palë garantuese do të rris perspektivat e bashkëpunimit më të madh në mes të Byrosë së Sigurimeve të Kosovës dhe të Byrosë Evropiane të sigurimeve.

Në delegacionin e Kosovës të udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, kanë marrë pjesë edhe Qemajl Marmullakaj nga Zyra e Kryeministrit dhe Rrahim Pacolli, kryesues i delegacionit të Byrosë së sigurimeve të Kosovës.