Telekomunikacioni

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen mbi telekomunikacionin më 8 shtator 2013, pas dy vite negociatash.

Ata u pajtuan që Kosovës ti ndahet një kod shtetëror ndërkombëtar, të përcaktohet kufiri i telekomunikacionit në mes të dy vendeve, si dhe të rregullohet çështja e operatorëve të palicensuar në Kosovë (VIP, Telekom Srbija dhe Telenor), me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.

Para kësaj marrëveshje, operatorët e palicensuar serb të telekomunikacionit, kanë operuar në territorin e Kosovës (me 72 stacione bazë) krahas operatorëve të Kosovës, duke krijuar kështu dy sisteme paralele të telekomunikimit në vend.

  • Sistemin e paautorizuar serb;
  • Sistemin e Kosovës.

Kosova nuk kishte kod të vetin shtetëror ndërkombëtar dhe i përdorte tre kode të tjera:

Thirrjet brenda territorit të Kosovës, trajtoheshin si kombëtare ose ndërkombëtare, varësisht nga kompania që operonte në atë zonë.

Më të ndikuarit nga kjo ishin komuniteti serb në Kosovë dhe komuniteti shqiptar në Serbi. Në shumicën e rasteve ata i përdornin nga dy telefona celularë, njërin për të komunikuar me Serbinë dhe tjetrin me Kosovën. Ose në rastin e Mitrovicës; ku jeta e qytetarëve që banojnë atje është e lidhur me të dy anët e lumit, shpesh qytetarët përdornin dy telefona, një për të komunikuar me pjesën veriore dhe një tjetër për të komunikuar me anën jugore të lumit. Kjo për faktin se operatorët që ofronin shërbime telefonike nuk e njihnin njeri-tjetrin.

25 gusht 2015, palët u pajtuan për Planin e Veprimit të marrëveshjes së Telekomit. Ky plan i dha Kosovës të drejtën për të administruar kodin e saj shtetëror (si çdo shtet tjetër), ndërkaq, Autoriteti Rregullativ i Telekomit të Kosovës (ARKEP) në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) do të mundësonin zbatimin e kodit shtetëror.

Në mes të palëve kanë ekzistuar disa mospajtime lidhur me formulimin që do të përdorej për t’iu referuar kodit dhe përkundër faktit që Kosova kërkoi të përfshinte formulimin që do të ishte zotëruese e “kodit shtetëror telefonik”, zgjidhja e ndërsjelltë erdhi te formulimi “… kodi (et) ndërkombëtar për Kosovën”.

4 janar 2016, Austria, e parashtroi kërkesën për kod shtetëror në emër të Kosovës dhe në dhjetor (të po të njëjtit vit), ITU e caktoi kodin shtetëror +383 për Kosovën, duke vënë Kosovën në regjistrat e telekomunikimit.

Pëlqimi i Serbisë ka qenë i domosdoshëm në këtë proces, sepse vetëm shtetet anëtare të OKB-së mund të anëtarësohen në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU).

Një pjesë e kësaj marrëveshje, i’u dedikua edhe adresimit të çështjes së operatorëve të palicensuar serb në Kosovë. Për t’i dhënë fund operimit të tyre dhe për të siguruar komunikim në zona të caktuara, Kosova u pajtua t’ia lëshojë një autorizim të përhershëm për telefoninë fikse dhe një autorizim të përkohshëm për telefoninë mobile, kompanisë  MTS d.o.o, që është filial i Telekomit të Serbisë. Autorizimi i përkohshëm do të jetë i vlefshëm deri në hapjen e tenderit ndërkombëtar për një operator të tretë të telefonisë mobile në vend.

MTS operon sipas rregullave ligjore të Kosovës, me stacione bazë në 30 lokacione, dhe u mundëson qytetarëve të komunikojnë me Serbinë pa pasur nevojë të shtypin kod shtetëror dhe pa kosto shtesë.

Licencat zyrtarisht hynë në fuqi, në dhjetor të vitit 2016 dhe ARKEP lëshoi 60,000 numra për telefona mobil dhe 74,000 numra për telefona fiks.

Kodi shtetëror i Kosovës filloi të funksionoj më 2 shkurt 2018. 

Përmes kësaj marrëveshje:

  • Kosova e mori kodin e vet shtetëror (+383) dhe pushoi së përdoruri tri kodet e huaja (+377, +381 dhe +386);
  • Operatorët vendas (të Kosovës) nuk shpenzojnë tarifa të larta financiare për t’i paguar operatorët e huaj për shfrytëzim të kodeve të tyre (për shkak të mungesës së kodit shtetëror) siç bëri Vala me Monaco Telecom-in  (ku tarifat arritën shumën e mbi 200 milion Euro);
  • U ofrua komunikim më i lirë dhe më i lehtë brenda dhe jashtë vendit;
  • U hap rruga për arritjen e një marrëveshje teknike në shërbimet postare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në të ardhmen e afërt;
  • Kosovës i’u mundësua nënshkrimi i Marrëveshjes së Romingut (pjesë e procesit të Berlinit) me pesë vende të tjera të Ballkanit, në korrik të vitit 2019. Vendet nënshkruese do të mund të komunikojnë pa roming kah korriku i vitit 2021, ndërsa tani për tani, ato po përfitojnë nga ulja e kostos për 8 herë për thirrjet rajonale dhe ulja e kostos së internetit nga 3.0 € për MB në 0.20 € për MB.

Procesi i Berlinit

Është një iniciativë e BE-së për Ballkanin Perëndimor, e cila filloi më 28 gusht 2014, për ta rritur bashkëpunimin midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe për ta lehtësuar procesin e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian.

 

Marrëveshjet në PDF