Policia

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen e Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve (e njohur si Marrëveshja e Brukselit) më 19 prill 2013.

Ndër të tjera, ata u pajtuan për:

  1. Shpërbërjen e strukturave paralele të policisë serbe në veri;
  2. Integrimin e personelit të tyre në Policinë e Kosovës; dhe
  3. Ndaljen e kryerjes së pagave të tyre nga buxheti i Serbisë.

Kjo erdhi për shkak të operimit të paautorizuar të policisë serbe në veri të Kosovës, që ka funksionuar për vite me radhë nën kornizën ligjore serbe dhe nën komandën e Ministrisë së Brendshme të Serbisë (MUP).

Pas marrëveshjes, palët u pajtuan edhe për Planin e Zbatimit, më 23 maj 2013, duke përcaktuar kornizën e afateve kohore për integrimin e policisë.

Serbia i mbylli zyrat e MUP-it më 5 korrik 2013 dhe i dorëzoi pajisjet që ata i përdornin, nën verifikimin dhe monitorimin e EULEX-it. Qeveria e Serbisë e përfshiu të gjithë personelin në një skemë të pensionimit të parakohshëm, përmes një dekreti, të lëshuar në dhjetor 2013. Si rezultat, Serbia do të vazhdojë të paguajë 60% të pagës së tyre përfundimtare – si pension – dhe do të vazhdojë t’iu paguajë sigurimin shëndetësor, deri kur Kosova të zhvillojë skemën e vet të sigurimit shëndetësor.

Në procesin e implementimit të marrëveshjes; për të siguruar integrimin e personelit serb të policisë dhe të mbrojtjes civile, Kosova e miratoi Ligjin për Amnistinë (19 shtator 2013). Ky ligj do i’u ofronte amnisti anëtarëve të institucioneve serbe të sigurisë, që vepronin në territorin e Kosovës të cilët janë dënuar për një apo më shumë vepra të caktuara penale, atyre që janë nën ndjekje për vepra të tilla penale, ose mund të jenë subjekt i ndjekjes penale për një apo më shumë vepra të tillë penale, të kryera para qershorit 2013. Ligji i miratuar për Amnistinë kishe për qëllim të mundësonte integrimin e tyre në strukturat ekuivalente të Kosovës, për aq sa ishte e mundshme, dhe të shërbente si masë për ndërtimit të besimit.

Në përputhje me marrëveshjen, më 22 korrik 2013, Kosova e themeloi Drejtorinë Rajonale të Policisë, që mbulon katër komuna të veriut. Kjo drejtori mbulon katër stacione policore (Mitrovicën e veriut, Zubin Potokun, Zveçanin, Leposaviqin ) dhe tre nënstacione (Çabër, Bistricë dhe Lipë). Drejtori Rajonal është një serb i Kosovës dhe Zëvendës Drejtori, është shqiptar i Kosovës.

Sipas kategorizimit të Policisë së Kosovës, stacioni policor në Mitrovicën e veriut, ishte një stacion i kategorisë B, me rreth 110-120 policë, që pas integrimit arriti numrin gati 170 zyrtarë policor.

Beogradi ofroi listën e zyrtarëve policorë që do të integrohen ndërkaq Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB) i’a përcolli të njejtën Policisë së Kosovës, për verifikim dhe kontroll të së kaluarës së kandidatëve.

Meqenëse ata tashmë kishin aftësitë dhe përvojën, atyre i’u deshtë vetëm ta ndiqnin një trajnim njëjavor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri (kah mesi i dhjetorit 2013 dhe fillimi i shkurtit 2014) për t’u familiarizuar me sistemin ligjor kosovar, procedurat, si dhe pajisjet standarde të funksionimit të Policisë së Kosovës.

Deri në fund të vitit 2013, Policia e Kosovës integroi 287 ish-anëtarë të MUP-it në radhët e saj (nga 337 ish-punonjës të MUP-it që morën pjesë në proces). Sa i përket atyre që nuk arritën të integroheshin, ata nuk e kaluan kontrollin e së kaluarës së tyre (verifikimin e të dhënave penale) nga institucionet e Kosovës, ose ishin afër pensionimit. Por disa prej tyre edhe kishin refuzuar të integrohen, duke mos e nënshkruar “Deklaratën e Lojalitetit”; një dokument që i obligonte ata t’i shërbenin vetëm Republikës së Kosovës dhe t’i bindeshin ligjeve të saj, duke mos pranuar asnjë pagë tjetër përveç nga Buxheti i Kosovës.

Administrata civile e MUP-it, e cila më herët lëshonte dokumente të regjistrimit civil të Serbisë në Kosovë dhe merrej me çështje të tjera administrative, u integrua gjithashtu. Nga 71 persona, 32 janë integruar në Agjencinë e Regjistrimit Civil.

Me integrimin e serbëve të Kosovës, Policia e Kosovës, u bë e vetmja forcë policore që vepron në të gjithë vendin, duke ofruar siguri, rend publik dhe zbatim efektiv të ligjit.

Tani ndonëse situata e sigurisë është përmirësuar në komunat veriore, incidentet etnike janë zvogëluar dhe besimi disi është rikthyer, ende ekzistojnë probleme në funksionalizim (të tilla si barrierat gjuhësore).

Marrëveshjet në PDF