Përfaqësimi dhe Bashkëpunimi Rajonal

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për Përfaqësim dhe Bashkëpunim Rajonal më 24 shkurt 2012.

Kjo marrëveshje, në përgjithësi njihet si ‘marrëveshja e fusnotës’.

Kjo ngase Kosova dhe Serbia ishin pajtuar që nën kornizën e përfaqësimit rajonal, Kosova të përfaqësohet vetëm si “Kosova” dhe ky emërtim të shoqërohet nga një yllth. Fusnota shpjeguese e këtij yllthi thotë: “Ky shënim është pa paragjykim të qëndrimeve për status dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.”

Sot, Kosova njihet prej 116 nga 193 shtete të botës, prandaj shteti sfidohet me probleme të përfaqësimit dhe bashkëpunimit në arenën ndërkombëtare. Nëse përqendrohemi vetëm në kontinentin tonë, pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian (Sllovakia, Spanja, Greqia, Qiproja dhe Rumania) dhe dy vendet e rajonit (Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina) nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, duke e penguar në këtë mënyrë, anëtarësimin e saj në organizata rajonale, e poashtu pjesëmarrjen në seminare, takime ose konferenca të ndryshme.

Me qëllim që Kosova ta përfaqësoj veten e saj dhe të diskutoj në emër të saj për çështjet që ndërlidhen me të, në kuadër të proceseve me BE-në dhe në veçanti me vendet e rajonit, palët e arritën Marrëveshjen për Përfaqësim dhe Bashkëpunim Rajonal.

Kjo marrëveshje:

  • I dha Kosovës të drejtën për të marrë pjesë, të vet-përfaqësohet dhe të flas në emër të saj, në të gjitha takimet rajonale (para kësaj marrëveshje, ky përfaqësim, bëhej nga UNMIK-u). dhe
  • Ju dha përfaqësuesve të Kosovës, të drejtën për të iniciuar dhe/ose nënshkruar marrëveshje të reja (ndërkaq përfaqësuesit e UNMIK-ut, do të mbesin ende të ftuar si vëzhgues, vetëm në takimet për marrëveshjet në të cilat UNMIK-u është nënshkrues).

Marrëveshja, sidoqoftë inkurajon nikoqirët e takimeve për ta shmangur shfaqjen e simboleve kombëtare, përveç të tyre dhe të BE-së, por nuk jep më shume sqarime për përdorimin e fusnotës.

Kjo ka krijuar shumë polemika, veçanërisht brenda Kosovës, për shkak të natyrës ‘status neutrale’ të marrëveshjes.

Megjithatë i dha mundësi përfaqësuesve të Kosovës, që të ulen dhe të diskutojnë me përfaqësuesit e vendeve të tjera të rajonit, në takimet dhe iniciativat rajonale të tilla si: Procesi i Bërdo-Brioni, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Iniciativa Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë (MARRI), Procesi i Bashkëpunimit për Evropën Jug -Lindore (SEECP), Asambleja Parlamentare dhe shumë të tjera.

Marrëveshja i’a lehtësoj BE-së mundësinë që të iniciojë iniciativa që për herë të parë e përfshinin edhe Kosovën, si Procesi i Berlinit, i cili i bëri bashkë Serbinë dhe Kosovën në diskutimet për projekte dhe programe të përbashkëta, të tilla si autostrada Nish-Prishtinë, ose për të marrë pjesë së bashku në Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor RYCO.

Para marrëveshjes, Kosova nuk kishte mundësi të marrë pjesë dhe t’u bashkohet takimeve dhe organizatave rajonale për shkak të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. Deri në atë kohë, marrëveshjet janë nënshkruar nga UNMIK-u, në emër të Kosovës (CEFTA, Komuniteti i Energjisë, Zona e përbashkët Evropiane e Aviacionit dhe Observatori i Transportit të Evropës Juglindore).

Në parim, marrëveshja ishte e destinuar të ndihmonte pjesëmarrjen e Kosovës në organizata dhe takime rajonale, por ajo disi ndihmoi edhe në dimensionin ndërkombëtar.

  • Kosova u bë anëtare ose vëzhguese në më shumë se 30 organizata rajonale e ndërkombëtare.
  • Edhe pse marrëveshja nuk ishte e lidhur me organizatat spotive, kur Kosova iu bashkua FIFA-s, Ekipi Kombëtar i Kosovës, i luajti takimet e para me yllthin në fanellat e tyre.
  • Si dhe me fusnotë, Kosova e nënshkroi marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, Marrëveshjen për Stabilizim – Asocim (nënshkruar më 27 tetor 2015), që shënon hapin e parë konkret të Kosovës, drejt Bashkimit Evropian.

Përveç përparimeve, problemet mbeten. Në disa takime rajonale, Serbia lobon kundër anëtarësimit të Kosovës (për shembull Serbia loboi kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL). Kosova nuk ftohet ose ftohet e përfaqësuar pa flamur, nganjëherë përfaqësuesit e saj nuk marrin pjesë për shkak të fusnotës që vendoset në etiketat e emrit të tyre, e herave tjera përfaqësuesit e Serbisë i bojkotojnë forumet për shkak të prezencës së Kosovës. Në raste të tjera Serbia bllokon pjesëmarrjen apo anëtarësimin e Kosovës në iniciativa dhe takime rajonale edhe përmes Bosnjës dhe Hercegovinës.

 

 

Marrëveshjet në PDF