Normalizimi Ekonomik
Pas një vakumi 4 vjeçar, në shtator 2020 (4 Shtator 2020), Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për Normalizim Ekonomik në Vashington D.C. Kjo marrëveshje shënoi një dimension tjetër të këtij procesi teksa ShBA-të morën rolin e lehtësuesit.
Në këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia u pajtuan lidhur me implementimin e marrëveshjes së autostradës dhe hekurudhës Beograd-Prishtinë, të nënshkruar me 14 shkurt 2020 në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Palët më tutje u pajtuan të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të ShBA-së për Zhvillim Financiar (Bankë për Zhvillim e ShBA-ve) and EXIM (Banka për eksport-import e ShBA-ve) në memorandume të mirëkuptimit për të funksionalizuar:
-Autostradën e Paqes;
-Lidhjen hekurudhore Prishtinë- Merdarë;
-Lidhjen hekurudhore Nish- Prishtinë;
-Sigurimin e mbështetjes financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;
-Projekte të tjera bilaterale; dhe
– Një prezencë ndërkombëtare (Korporata Ndërkombëtare e ShBA-së për Zhvillim Financiar) në Serbi.
Kosova dhe Serbia u dakorduan që:
- T’i bashkohen “zonës së mini-Shengenit”; një zonë ekonomike në mes të Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, e cila u shpall si plan në vitin 2019. Një gjë e tillë do të siguronte lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit në mes të shteteve të lartpërmendura.
- Të punojnë me Departamentin Amerikan të Energjisë (dhe subjektet e tjera të Qeverisë Amerikane) në një studim fizibiliteti për përdorim të përbashkët të liqenit Ujman si furnizues i ujit dhe energjisë.
- Të shumëfishojnë burimet e tyre të energjisë si dhe
- Të përshpejtojnë përpjekjet për lokalizimin dhe identifikimin e mbetjeve të personave të pagjetur, dhe të gjejnë zgjidhje afatgjatë për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit.
Si pjesë e marrëveshjes, Kosova u pajtua që të zbatoj një moratorium një-vjeçar, për të mos kërkuar anëtarësime të reja në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia u pajtua të zbatoj një moratorium njëvjeçar nga fushata për çnjohje dhe të përmbahet nga kërkesat zyrtare dhe jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njoh Kosovën si shtet të pavarur.
Sidoqoftë dy nene të kësaj marrëveshje ishin vetëm ripërtëritje e zotimeve të mëparshme:
- Njohja e ndërsjelltë e diplomave dhe certifikatave profesionale; e cila buron nga marrëveshja e vitit 2011 për njohjen e ndërsjelltë të diplomave.
- Hapja dhe funksionalizimi i objektit të Pikëkalimit të Përbashkët Kufitar në Mendarë, që buron nga marrëveshja e vitit 2011 për IBM-in.
Nevoja për ripërtëritje të zotimeve erdhi si rezultat i mos-implementimit të tyre. Pra, ndonëse ndërtimi i objektit të Pikëkalimit të Përbashkët në Merdarë ishte finalizuar në një linjë me marrëveshjen e IBM-it dhe planin e implementimit, Serbia kishte refuzuar të përdorte objektin e ri. Sidoqoftë, menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Vashingtonit, me saktë në tetor të vitit 2020, Serbia u pajtua të zhvendos stafin e vet në objektin e Pikëkalimit të Përbashkët në Merdarë.
E ashtuquajtura “Marrëveshje e Vashingtonit” i dedikohet posaçërisht normalizimit ekonomik, por në realitet nene konkrete të kësaj marrëveshje morën vëmendjen e të gjithëve meqë dilnin jashtë kornizave të marrëdhënieve ekonomike në mes të dy shteteve.
Në këtë aspekt, palët u pajtuan që:
- Të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G të ofruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit;
- Të rrisin kontrollin e pasagjerëve ajrorë, ndarjen e informacionit midis njëra-tjetrës dhe të angazhohen për përditësime teknologjike për të luftuar aktivitetet e jashtëligjshme;
- Të mbrojnë dhe promovojnë lirinë e besimit, përfshirë edhe rivendosjen e komunikimit ndër-fetar, mbrojtjen e hapësirave fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që janë të lidhura me Kishën Ortodokse Serbe si dhe rikthimin e pronave pa trashëgimtar dhe atyre pa pretendent, nga periudha e Holokaustit;
- Të punojnë me 69 shtetet që e kriminalizojnë homoseksualitetin drejt dekriminalizimit;
- Ta shpallin Hezbollahun organizatë terroriste dhe të zbatojnë masat për kufizimin e aktivitetit të saj. Hezbollah është një grup i formuar në vitin 1982 si përgjigje ndaj pushtimit të Lebanonit nga ana e Izraelit. Ajo listohet si një organizatë terroriste nga qeveritë e ShBA-ve, Kanadasë dhe Izraelit.
Kosova dhe Serbia nuk e nënshkruan të njëjtin tekst. Neni i fundit i marrëveshjes u përshtat për secilën palë veçmas.
Izraeli e njohu zyrtarisht Kosovën në shkurt të vitit 2021, e një muaj më vonë (14 mars 2021), Kosova e hapi ambasadën e vet në Jerusalem.