Në Bruksel u mbajt takimi i radhës për IBM-in

Bruksel, 22 nëntor 2013

Më 22 nëntor 2013, delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka qëndruar dhe ka marrë pjesë në takimin e radhës për zbatimin e Marrëveshjes së Menaxhimit të integruar të kufirit (IBM-it). Në këtë takim bilateral mes delegacionit të Kosovës dhe delegacionit të BE-së të udhëhequr nga Bernd Thran, është biseduar për aspekte të rëndësishme të zbatimit të Marrëveshjes së IBM-it.

Fillimisht, të dyja palët kanë vlerësuar pozitivisht rrjedhat e zbatimit të kësaj marrëveshje, duke potencuar se tashmë janë vendosur standarde evropiane në bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë për çështjet e menaxhimit të integruar të kufirit ndërshtetëror, ndërkohë që po punohet për të avancuar më tej këtë bashkëpunim.

Në drejtim të avancimeve, pala e BE-së konfirmoi se më 25 nëntor 2013, do të fillojë zbatimi i sistemit evropian të këmbimit elektronik të të dhënave, që ka për synim rritjen e kontrollit doganor dhe pengimin e dukurive negative.

Përfaqësuesit e BE-së po ashtu njoftuan se Bashkimi Evropian është i angazhuar që Kosova të përfshihet (në mënyrë të barabartë) në nismat dhe organizatat rajonale në harmoni me Marrëveshjen e Brukselit për bashkëpunim rajonal, dhe në veçanti u theksua rëndësia e pjesëmarrjes në organizatat rajonale nga fusha e sigurisë.

Në takim u biseduan edhe çështje tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes së IBM-it ndërkaq palët u dakorduan që takimi tjetër i radhës të mbahet sa më shpejtë.