Menaxhimi i integruar i Kufirit (MIK)
Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, më 2 dhjetor 2011, e cila është e njohur me shkurtesën IBM (apo shqip MIK).
Një prej sfidave fillestare për palët ishte interpretimi i dyfishtë i MIK-ut, që është i reflektuar në marrëveshje.
Për Serbinë, MIK ishte dhe mbetet një vijë administrative – një kufi administrativ, ndërkaq për Kosovën, paraqet një kufi ndër-shtetëror. Këto ndryshime në terminologji megjithatë, nuk i penguan palët që të arrijnë këtë marrëveshje.
Marrëveshja parashikoi krijimin e pikave të përbashkëta të kalimit në të gjashtë pikat kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë (Merdarë, Bërnjak, Mutivodë, Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe Mucibabë), duke përdorur modelin e Bashkimit Evropian të IBM-it.
Në letër u theksua se palëve u kërkohej të harmonizojnë gradualisht legjislacionin e tyre, me legjislacionin e BE-së (Acquis) dhe në veçanti të zbatojnë konceptin e IBM-in, duke pasur parasysh që të dyja vendet, janë pjesë e agjendës së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Mirepo në praktikë, Bashkimi Evropian u angazhua për të lehtësuar arritjen e kësaj marrëveshje, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në komunat veriore të Kosovës (Mitrovicë e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq), ku kërcënimet e sigurisë, dhuna, barrikadat, çrregullimet dhe ndasitë ishin bërë një praktikë e zakonshme.
Disa muaj më vonë, më 23 shkurt 2012, Serbia dhe Kosova e nënshkruan Protokollin Teknik për zbatimin e IBM-it, duke u fokusuar në:
- Lokacionet e pikave të kalimit;
- Praninë e saktë të autoriteteve kufitare, si Doganat, Policia dhe agjencitë veterinare dhe fitosanitare;
- Shkëmbimin, përdorimin dhe përpunimin e informatave;
- Bashkëpunimin për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike;
- Njohjen reciproke të certifikatave fitosanitare;
- Takimet e rregullta në mes të autoriteteve (Policia, Doganat, etj.) dhe kështu me radhë.
Sipas marrëveshjes, të dy palët, do të vendosnin pikat e përbashkëta të kalimit në mënyrë graduale me ndihmë financiare nga BE-ja, përkatësisht përmes fondeve IPA (Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit – një mekanizëm financimi i BE-së). Në tri prej këtyre pikëkalimeve, palë nikoqire do të ishte Kosova: Merdarë, Bërnjak dhe Mutivodë dhe në tri të tjerat, Serbia: Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe Mucibabë. Në këto zona të përbashkëta të dy qeveritë u pajtuan që të mos i shfaqin simbolet e juridiksioneve të tyre përkatëse. Si dhe për herë të parë në dialogun e Brukselit, IBM-i do ta bënte një përcaktim të qartë të përgjegjësive ligjore dhe të detyrimeve nën juridiksionin e secilës palë.
Qëllimi i IBM-it, ishte vendosja e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, duke rritur koordinimin brenda dhe midis agjencive si Policia Kufitare, Doganat, Shërbimet Veterinare dhe Fitosanitare, dhe për të siguruar kufinjë të hapur, por të sigurt.
Një e arritur shumë e rëndësishme është edhe nënshkrimi i bashkëpunimit brenda projektit “Shkëmbimi sistematik elektronik i të dhënave”, i njohur si SEED, i cili:
- Mundësoi shkëmbimin e informatave në fushën e doganave;
- Përmirësoi luftën kundër tregtisë ilegale; dhe
- Lehtësoi procedurat ndër-kufitare.
Deri më tash, vetëm pikat e përhershme të kalimit: Mutivodë dhe Merdarë janë përfunduar, sidoqoftë Serbia refuzoi të përdorte objektet e reja. Si rezultat, policia dhe autoritetet doganore serbe vazhduan të punojnë brenda objekteve të përkohëshme teksa policia dhe autoritetet doganore kosovare u vendosën në objektet e reja.
Ndërtimi i katër pikëkalimeve tjera të përhershme, nuk ka filluar ende, duke e lënë implementimin e marrëveshjes së IBM-it, të papërfunduar. Përpos sfidave që rrjedhin nga interpretimi i dyfishtë i IBM-it, zhvillimet politike në Serbi dhe Kosovë janë një shkaktar tjetër i këtyre vonesave. Ato madje e kanë penguar rrjedhën e takimeve dhe kontakteve të rregullta ndërmjet autoriteteve.
Me 4 Shtator 2020 Kosova dhe Serbia nënshkruan Marrëveshjen për Normalizim Ekonomik në Uashington D.C.. Njëra nga pikat e kësaj marrëveshje lexon “Të dyja palët do të hapin dhe funksionalizojnë pikën e përbashkët kufitare në Merdare”.
Në përputhje me marrëveshjen, në tetor 2020, Serbia u pajtua të zhvendos stafin e vet në objektet e reja në pikën e përbashkët kufitare në Merdare.
IBM-i shënon një marrëveshje të suksesshme dhe të rëndësishme, e cila pos tjerash:
- Ka vendosur bashkëpunim ndërkufitar dhe komunikim ndërmjet policisë, doganave dhe agjencive të tjera të Serbisë dhe Kosovës;
- Ka lehtësuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave;
- Ka vendosur kontrollet e kufirit dhe rritur sigurinë;
- Së bashku me marrëveshjet për Vulat Doganore, Mbledhjen e të hyrave doganore dhe Lirinë e Lëvizjes, ka stabilizuar situatën në pikëkalimet në veri (Bërnjak dhe Jarinjë) dhe ka mundësuar mbledhjen e të ardhurave doganore; si dhe
- I ka ndihmuar të dy qeveritë për të përmbushur kriteret në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.