Është arritur Marrëveshja mbi të ashtuquajturën “Mbrojtje Civile”
Prishtinë 26 Mars 2015
Më 26 Mars 2015, Qeveria e Kosovës njoftoi se ka arritur një marrëveshje mbi të ashtuquajturën “Mbrojtje Civile”, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Me këtë rast, Ministrja për Dialog Edita Tahiri deklaroi si vijon: “Arritja e kësaj marrëveshje midis tre palëve, Kosovës, Serbisë dhe BE-së ka një rëndësi të madhe sepse i jep fund operimit të strukturës ilegale të quajtur “Mbrojtja Civile” dhe mundëson integrimin e ish-anëtarëve të saj në institucionet e Republikës së Kosovës”.
Procesi i negociatave ka qenë i gjatë dhe i lodhshëm.
Kjo marrëveshje parashikon shpërbërjen e strukturës paramilitare dhe integrimin e ish-personelit të saj në institucionet e Kosovës. Ajo i specifikon detyrimet e palëve dhe afatet kohore të zbatimit.
Ministrja Tahiri më tej u shpreh se “do të donte të falenderonte Bashkimin Evropian për punën e suksesshme në ndërmjetësimin e kësaj marrëveshje dhe SHBA-të për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre në këtë proces”.