Dialogu Kosovë-Serbi në udhëkryq: Cila është rruga përpara?

Vjollca Krasniqi

Shkurt 2022

Për shumë vite me radhë, Dialogu Kosovë-Serbi ka siguruar rol kyç në politikë duke ndikuar në sistemet sociale, siç janë ekonomia, edukimi dhe jetesa e qytetarëve.  Si platformë për normalizim të marrëdhënieve të mira fqinjësore, dialogu Kosovë- Serbi është bërë pjesë e punës së organizatave joqeveritare, të cilat kanë avokuar për një proces transparent dhe përfshirje të shoqërisë civile për t’i dhënë zë dhe qasje ‘poshtë-lartë’ çështjeve me rëndësi për qytetarët. Organizatat joqeveritare kanë një rol kyç në mbajtjen e kulturës së dialogut në mes komuniteteve në Kosovë dhe në mes të Kosovës dhe Serbisë sa i përket ballafaqimit me të kaluarën dhe ndërtimit të një mirëkuptimi të përbashkët që sjellë te përafrimi i qëndrimeve. Sidoqoftë, dialogu Kosovë-Serbi ka nevojë të hap rrugën për shoqërinë civile duke përfshirë zërat e qytetarëve në mënyrë që të arrihet normalizimi i plotë i marrëdhënieve.

Sot dialogu Kosovë-Serbi ndodhet në udhëkryq. Kjo pasiguri aktuale ri-konfirmon nevojën për përkushtim ndaj paqes në Kosovë e Serbi, por edhe më gjërë- në rajonin e e Evropës Juglindore e në botë. Dialogu është çështje fundamentale për adresimin e sigurisë së brishtë të kohëve të fundit që është ndjerë si pasojë e luftës në Ukrainë, adresimin e ripërtëritjes së ideologjive nacionaliste, ngritjes së autoritarizmit   dhe pabarazisë, të cilat kanë një efekt determinues në paqen dhe kohezionin social. Përkundër kësaj, dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë dhe të zgjeroj fokusin për të përfshirë çështje me rëndësi për qytetarët, në kërkim të mundësive për fuqizim të bashkëpunimit në ekonomi, edukim dhe kulturë. Efektet e konfliktit janë ende prezent tek komunitetet Shqiptare dhe Serbe në Kosovë dhe Serbi. Dialogu duhet t’i kushtoj vëmendje të veçantë përfshirjes dhe përfaqësimit të akterëve dhe zërave të ndryshëm; një gjë e tillë mundëson njohje të realiteteve të ndryshme dhe ndikim pozitiv në paqen e qëndrueshme, respektimin e të drejtave të njeriut dhe drejtësinë.

Dialogu Kosovë-Serbi ka evoluar sipas qasjeve ‘lartë-poshtë’, dhe si i tillë, konsiderohet si platformë e elitës politike, shprehje e marrëdhënieve të fuqisë dhe aranzhimeve të ndarjes së fuqisë, si dhe proces i udhëhequr nga jashtë.  Ndryshimi i paradigmës prej asaj teknike në politike, dhe anasjelltas, ka mjegulluar procesin e dialogut me tutje duke lënë qytetarët të përhumbur dhe me mungesë besimi ndaj dialogut në tërësi. Për më tepër, dialogu Kosovë-Serbi është kritikuar për mungesë të transparencës, informacionit lidhur me marrëveshjet e arritura, nivelin e implementimit, dhe analizave lidhur me ndikimin që kanë pasur marrëveshjet në jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.  Ndryshimi është i nevojshëm. Për një dialog të suksesshëm, duhen analiza të bazuara në fakte për të siguruar që dialogu Kosovë-Serbi i jep peshë shkëmbimit të pikëpamjeve dhe çështjeve të rëndësishme përmes përfshirjes së zërit të qytetarëve.

Dialogu Kosovë-Serbi ka të bëjë me ndërtimin e paqes dhe përkushtimin ndaj parandalimit të konfliktit që shtetet të marrin përgjegjësinë të veprojnë dhe të adresojnë çështjet e shkaktuara nga lufta, si dhe të ecin përpara në marrëdhënie të mira fqinjësore. Akterët në dialogun Kosovë-Serbi bartin përgjegjësinë të ndërtojnë momentumin për paqen, drejtësinë, njohjen dhe respektin reciprok në mes të dy shteteve dhe shoqërive. Vetëm atëherë do të sigurohet valorizimi i ndryshimeve, barazisë, dhe njohjes në nivel institucional dhe në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë dhe Serbi. Prandaj, është përgjegjësi e liderëve politikë të të dy palëve të sigurojnë një proces transparent që përfshin shoqërinë civile e cila shpreh zërat e komuniteteve të ndryshëm në Kosovë dhe në Serbi, lidhur me prioritetet dhe strategjitë drejt normalizimit të marrëdhënieve për paqe të qëndrueshme.

Ky artikull fillimisht është shkruar në Gjuhën Angleze.

Ky artikull financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe nuk reflektojnë pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.