Bisedime teknike në Bruksel lidhur me Telekomin dhe Energjinë

Bruksel, 6 shkurt 2013

Më 4 shkurt 2013, delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Zëvendës Kryeministrja Edita Tahiri, mbajti një takim të veçantë me përfaqësuesit e BE-së Pier Mirel dhe Nicholas Cendrowitz në lidhje me energjinë dhe telekomunikacionin. Më 5 shkurt 2013, një takim trepalësh për këto çështje u mbajt në selinë e BE-së në Bruksel.

Në këto takime, Zëvendës Kryeministrja Edita Tahiri kërkoi nga Bashkimi Evropian që të rrisë angazhimin në arritjen e një marrëveshjeje për energjinë dhe telekomunikacionin, të cilat tani janë duke u diskutuar për gati dy vite. “Kosova zyrtarisht po punon shumë për të zbatuar Traktatin e Energjisë së Athinës, por Serbia po shkel Traktatin dhe kjo është shënuar zyrtarisht nga Sekretari i Komunitetit të Athinës. Serbisë i është kërkuar të ndalojë ndërhyrjen e paligjshme në sistemin e transmetimit të energjisë në Kosovë dhe të paguajë kompensim për dëmet e shkaktuara deri më tani,” tha znj. Tahiri.

Përveç kësaj, ajo përshkroi nevojën për të normalizuar pagesat nga konsumatorët e energjisë, veçanërisht në pjesën veriore të vendit, të cilët kanë shmangur detyrimet e tyre ndaj KEK-ut për një kohë të gjatë. Tahiri tha se Kosova po bashkëpunon në mënyrë konstruktive për energjinë me të gjitha vendet e rajonit dhe mund të bëjë të njëjtën gjë me Serbinë, me kusht që Serbia të ndalojë ndërhyrjen e saj të paligjshme dhe në veçanti, të shpërbëj strukturat ilegale të energjisë.

Në lidhje me diskutimin mbi telekomunikacionin, Tahiri i kushtoi vëmendje të veçantë kodit telefonik të vendit, duke thënë se kodet 383 ose 384 i përkasin Kosovës, që nga koha kur ITU veçoi 8 kode telefonike për tetë njësitë federale të ish-Jugosllavisë. Ajo kërkoi angazhim më të madh nga BE-ja në zgjidhjen e çështjes së kodit telefonik, duke shtuar se kundërshtimi dhe pengimi që vjen nga Serbia kundër arritjes së këtij qëllimi, nuk janë në frymën e dialogut ndër-shtetëror midis Kosovës dhe Serbisë.

Përveç kësaj, delegacioni i Kosovës tha se ndalimi i aktiviteteve të operatorëve ilegal të Serbisë në territorin e Kosovës, ishte çështje thelbësore, duke këmbëngulur që kjo duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur përmes dialogut, në mënyrë që të mos ketë nevojë për masa të tjera për të zgjidhur këtë problem.

Në takim, nuk pati një percaktim të theksuar të pozicioneve dhe u vendos që të vazhdohet me takime në ditët në vijim. Gjatë takimit, delegacioni i Kosovës paraqiti kritikat e saj ndaj palës serbe e cila anuloi pjesëmarrjen e saj në takimin e janarit, një ditë më herët, dhe ata kërkuan sjellje më të përshtatshme.

Delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga Zëvendës Kryeministrja Edita Tahiri përfshinte sa vijon: Znj. Elona Cecelia, këshilltare politike e Zëvendës Kryeministres Tahiri, Z. Fadil Ismajli, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT-it, Z. Naim Bejtullahu, Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i KOSTT-it, z. Arben Gjukaj, Shefi Ekzekutiv i KEK-ut, Znj. Merita Kostori, anëtare e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Z. Ekrem Hoxha, shef i Bordit të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Z. Ilir Imeri, shef i Departamenti i Telekomunikacionit në ARKEP-it.