Diskutime lidhur me implementimin e marrëveshjeve të arritura
Bruksel, 26 shkurt 2015
Më 26 Shkurt 2015, me ftesë të Bashkimit Evropian, Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri qëndroi në Bruksel ku u takua me përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Qëllimi i kësaj vizite ishte vlerësimi i arritjeve të deritanishme dhe përcaktimi i prioriteteve për procesin e dialogut në fazën vijuese.
Ministrja Edita Tahiri, me këtë rast tha se Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se implementimi i marrëveshjeve të dialogut është një çështje prioritare duke shtuar se marrëveshja e arritur në drejtësi përbën vazhdim të dialogut, dhe se zbatimi i saj duhet të jetë i shpejtë dhe të mos lejoj vonesa nga Serbia. Ajo gjithashtu kërkoi të përshpejtohet procesi i shuarjes së të ashtuquajturës “mbrojtje civile”.
Ministrja Tahiri në mënyrë specifike kërkoi shuarjen e të gjitha strukturave paralele komunale nga pala serbe duke theksuar se funksionimi i strukturave ligjore komunale në veri të Kosovës pengohet nga ndërhyrjet e Serbisë.
Delegacioni i BE-së përbëhej nga Anna-Maria Boura, Alexis Hupin, Cendrowicz Nicholas dhe Mary Cicconi.
Delegacioni i Republikës së Kosovës përbëhej nga Ministrja Edita Tahiri; Gazmir Raci dhe Elona Cecelia, këshilltarë politikë të Ministres Tahiri dhe Valon Murtezaj, këshilltar politik i Kryeministrit Isa Mustafa.