U arrit në parim Marrëveshja për Njohjen Reciproke të Certifikatave të Produkteve Medicinale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Bruksel, 23 maj 2015
Më 23 maj 2015, Kosova dhe Serbia mbajtën takimin e rregullt për çështjen e produkteve medicinale, në Bruksel.
Në takim u diskutua për normalizimin e tregtisë për produktet medicinale përmes njohjes reciproke të certifikatave të Produkteve Medicinale (CPP) midis dy vendeve. Ata poashtu diskutuan për çështjen e licencimit të kompanive që merren me importet e produkteve medicinale, në pjesën veriore.
Gjatë diskutimeve me palën Serbe, më 23 Maj 2015, u arrit në parim marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave të produkteve medicinale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Si rezultat, barnat e prodhuara në Serbi, të cilat deri më tani janë hedhur për qarkullim në Kosovë pa i’u nënshtruar procedurave të regjistrimit, tani e tutje do t’i nënshtrohen këtij procesi dhe do të vendosen në tregun e Kosovës në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kjo poashtu u mundëson prodhuesve në Kosovë që të vendosin produktet e tyre në tregun Serb.
Një çështje tjetër që është diskutuar është edhe licencimi i farmacive dhe depove farmaceutike të cilat ndodhen në katër komuna veriore në Kosovë. Nga 19 ndërmarrje që operojnë në këto katër komuna, 6 janë tashmë të licencuar nga AKPPM.
Delegacioni i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Ministrja Edita Tahiri, kishte përbërjen vijuese, Arjeta Rexhaj, koordinatore për çështjen e produkteve medicinale; Arianit Jakupi, Drejtor i Agjencisë së Produkteve Mjekësore, Ministria e Shëndetësisë; Bekim Fusha, Drejtor i Farmacisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Bekim Mehmeti, Shefi i Sektorit për IBM, Departamenti i Doganave për Mbështetjen Rajonale.