Në Bruksel është mbajtur takimi i rregullt për shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”
Bruksel, 20 mars 2014
Delegacioni i Kosovës, kryesuar nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e radhës në Bruksel për shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”.
Në këtë takim u bisedua për të gjitha veprimet që duhet të merren lidhur me shpërbërjen e plotë dhe efektive të kësaj strukture ilegale sipas marrëveshjes së arritur. Kjo nënkupton ndërprerjen e veprimtarisë, mbylljen e lokacioneve të veprimit dhe dorëzimi i uniformave dhe pajisjeve operative.
Çështja e integrimit të ish-personelit të mbrojtjes civile që dëshirojnë të integrohen në institucionet e Kosovës, u diskutua po ashtu.
Delegacioni i Kosovës shprehur gatishmërinë për procesin e integrimit të tyre në institucionet e ndryshme qeveritare në përputhje me kornizën ligjore të Republikës së Kosovës, duke i respektuar plotësisht kriteret ligjore.
Shpërbërja dhe integrimi synon të vendosë sundimin e ligjit, rendit dhe stabilitetit në këtë pjesë të Kosovës.
Sipas Qeverisë së Kosovës, ky proces i jep fund prezencës së strukturave ilegale serbe të sigurisë dhe ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë (në sferën e sigurisë).
Bashkimi Evropian rikonfirmoi përkushtimin për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit për normalizim, e cila si parim ka mos-ndërhyrjen e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës dhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Në delegacionin e udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri morën pjesë edhe Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i zëvendëskryeministres Tahiri; Fisnik Rexhepi, këshilltar i lartë politik i Ministrit Rexhepi; Rashit Qalaj, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm Operativ i Policisë së Kosovës; Elona Cecelia, këshilltare politike e zëvendëskryeministres Tahiri dhe Besnik Osmani, Sekretar i Përgjithshëm i MAPL-së.