Takimi lidhur me Targat e Automjeteve
Bruksel, 19 tetor 2016
Më 19 tetor 2016, u mbajt një takim trepalësh për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 14 shtator 2016, e cila mundëson reciprocitet në targat e automjeteve në mes të dy vendeve.
Në këtë takim, delegacioni i Republikës së Kosovës, konfirmoi se të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, si Ministria për Dialog, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, etj po punojnë intensivisht për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga kjo marrëveshje .
Pala Serbe gjithashtu konfirmoi gatishmërinë për të zbatuar marrëveshjen dhe paraqiti disa përparime sa i përket procesit përgatitor.
Palët diskutuan edhe për heqjen e targave ilegale të automjeteve që ende përdoren nga qytetarët në komunat veriore.
Në këtë takim, delegacioni i Kosovës raportoi për progresin e bërë në hapjen e zyrave të regjistrimit civil në katër komunat veriore, të cilat do të ofrojnë dokumente të gjendjes civile për qytetarët e Kosovës.
Delegacioni i Republikës së Kosovës udhëhiqej nga ministrja Edita Tahiri dhe kishte në përbërje: Dren Zeka, koordinator i çështjes; Elona Cecelia, koordinatore për çështjen e zyrave; Qemajl Marmullakaj, drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik në ZKM; Shaban Guda nga Policia e Kosovës dhe Haxhi Bajraktari nga Ambasada e Kosovës në Bruksel.