Në Bruksel u mbajt takimi i dytë për Migrimin
Bruksel, 16 prill 2015
Më 16 prill 2015, Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Ministrja për Dialogun Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e dytë për çështjen e migrimeve ilegale në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian.
Takimi është mbajtur me qëllim të vlerësimit të situatës në çështjet e migrimit ilegal në Kosovë, si dhe të masave që lidhen me parandalimin e kësaj dukurie.
Në takimin bilateral mes delegacionit të Kosovës dhe përfaqësueseve të Komisionit Evropian, janë vlerësuar pozitivisht angazhimet e Qeverisë së Kosovës në ndaljen e dukurisë së migrimeve ilegale të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së.
Përfaqësuesit e Komisionit Evropian theksuan se Kosova tregoi një angazhim efikas në ndaljen e dukurisë së migrimeve si dhe përmes një bashkëpunimi ndërkombëtar dhe bilateral është e angazhuar për rikthimin e të mërguarve si dhe re-integrimin e tyre.
Ministrja Tahiri kërkoi nga BE-ja angazhim që Kosova të anëtarësohet sa më shpejtë në të gjitha organizatat rajonale që kanë të bëjnë me dukuritë e migrimit, përfshirë organizatën MARRI. Ministrja Tahiri po ashtu kërkoi që të shpejtohet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës për t’iu mundësuar atyre të përjetojnë lëvizjen e lirë.
Më pas u mbajt një takim trepalësh ku mori pjesë edhe delegacioni nga Serbia, me ç’ rast të gjitha palët u zotuan se do të bashkëpunojnë në çështjet e parandalimit të migrimeve ilegale duke vënë theksin te nevoja e këmbimit të informacioneve të ndërsjella në këtë çështje, si dhe në bashkëpunimin në mes të policive të të dyja shteteve.
Delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga Ministrja Edita Tahiri kishte këtë përbërje: Arjeta Rexhaj, Këshilltare politike; Elona Cecelia, Këshilltare politike; Driton Gashi, Sekretar i Përgjithshëm i MPB-së (kryesues i grupit punues); Shaban Guda, Drejtor i Departamentit të Policisë Kufitare; Shqipe Mjekiqi, Këshilltare e Lartë e Ministrit të MPB-së; Valon Krasniqi, Drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në MPB; Labinot Gashi nga Ambasada e Kosovës në Bruksel.