Zgjedhjet Lokale/Themelimi i Komunave me Shumicë Serbe në Veri
Kosova dhe Serbia e arritën Marrëveshjen e Parë të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve (e njohur si Marrëveshja e Brukselit) më 19 prill 2013.
Ndër çështjet për të cilat ata u pajtuan, ishte themelimi ligjor i katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovica e veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi.
Kjo nënkuptonte, mbajtjen e zgjedhjeve të para lokale, në nëntor të vitit 2013, dhe themelimin e institucioneve lokale në këto komuna, pothuajse nga e para, nën juridiksionin e Kosovës. Një gjë e tillë synonte të rriste besimin e popullsisë lokale si dhe të siguronte legjitimitetin.
Themelimi i komunave serbe dhe mbajtja e zgjedhjeve (në po këto komuna) nën juridiksionin e Kosovës, u pa në mënyra të ndryshme nga palët.
Për Beogradin, do të krijonte kushte për krijimin e Asociacionit/Komunitetit të Komunave me shumicë serbe (AKS/KKS); e cila në fakt është pjesë e së njëjtës marrëveshje. Por për Prishtinën, do të siguronte funksionimin ligjor të të gjitha komunave në Kosovë (përmes zgjerimit të autoritetit të saj në atë pjesë të territorit) dhe integrimin e serbëve të veriut.
Para marrëveshjes, serbët e Kosovës kishin injoruar dukshëm proceset politike të udhëhequra nga Prishtina dhe nuk merrnin pjesë në zgjedhjet e Kosovës. Veçanërisht, serbët nga komunat veriore ishin ngurrues dhe rezistent ndaj iniciativave për integrim që vinin nga Prishtina. Përkundrazi, ata mbështeteshin në institucionet e financuara nga Beogradi për punësim dhe shërbime publike, duke dashur të qëndrojë të lidhur me sistemin serb.
Më 23 maj të vitit 2013, të dy qeveritë miratuan planin e zbatimit; sipas të cilit, në fund të tetorit të atij viti do të mbaheshin zgjedhjet lokale.
Pas miratimit të këtij plani, Beogradi shkarkoi kryetarët e të katër komunave veriore dhe vendosi të shpërbënte strukturat ekzistuese komunale në pjesën veriore të Kosovës, që ishin krijuar dhe funksiononin plotësisht nën legjislacionin dhe kontrollin e Serbisë.
Zgjedhjet e para lokale në komunat veriore, u mbajtën në nëntor të vitit 2013, në përputhje me legjislacionin e Kosovës, dhe u lehtësuan nga OSBE-ja. Kosova u pajtua të mos vendos simbolet shtetërore, stemat dhe elementët e tjerë shtetërorë në kutitë e votimit, sepse serbët e Kosovës nuk do të merrnin pjesë në një proces zgjedhor që tregon dukshëm se përbën zgjedhjet e Kosovës së pavarur.
Zgjedhjet u legjitimuan nga aktorët ndërkombëtarë si Misioni Vëzhgues i BE-së, si zgjedhje të lira dhe të drejta. Me fjalë të tjera, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës (KQZ), për herë të parë që nga lufta, regjistroi dhe certifikoi të gjitha subjektet politike dhe pjesëmarrësit në zgjedhjet komunale në pjesën veriore të Kosovës. Që atëherë, përkundër vështirësive, qytetarët kanë marrë pjesë, me pjesëmarrje të kënaqshme, në zgjedhjet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Në vitin 2014 u bë inaugurimi zyrtar i organeve komunale në të katër komunat dhe miratimi i statuteve komunale, në përputhje me ligjet e Kosovës. Qëllimi ishte të shfuqizoheshin strukturat komunale serbe, megjithatë kjo ende nuk është arritur përfundimisht.
Marrëveshja në fjalë:
- Ka hapur rrugën për normalizimin dhe demokratizimin e kësaj pjese të vendit. Për herë të parë që nga viti 2008, serbët e veriut të Kosovës, morën pjesë në zgjedhjet lokale. Dy cikle të mëpasshme të zgjedhjeve lokale u mbajtën në vitet 2013 dhe 2017. Në 2017, zgjedhjet u mbajtën plotësisht në përputhje me ligjet e Kosovës, me simbolet shtetërore dhe stemat në fletët e votimit.
- Themeloi komuna funksionale të Kosovës- në veri, me kryetarë të komunave dhe asamble lokale, etj. Zgjedhjet lokale u pasuan nga tre raunde të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, në vitet 2014, 2017 dhe 2019, në të cilat morën pjesë qytetarët serbë nga të gjitha komunat e Kosovës.
- Dhe vendosi komunikim të rregullt ndërmjet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës dhe katër komunave veriore.
Sidoqoftë, si rezultat i mospajtimeve në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, veçanërisht mbi AKS/KKS, mbeten pengesat si:
- Prania e strukturave paralele (administrative) në këtë pjesë, të cilat ende funksionojnë sipas ligjeve të Serbisë dhe financohen nga e njejta;
- Jo të gjitha departamentet komunale janë plotësisht funksionale; vetëm Departamentet e Financave, Administratës, Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Mirëqenies Sociale janë me staf të plotë dhe funksionojnë si duhet;
- Sistemi arsimor, përfshirë Universitetin e Mitrovicës së veriut dhe sistemi shëndetësor, ende janë nën sistemin serb dhe nën strukturat paralele serbe; dhe
- Nuk ka ende pajtueshmëri për simbolet, vulat dhe logot komunale që do të përdoren nga këto komuna. Deri më tani ato ende operojnë pa logo zyrtare dhe respektojnë vendosjen e simboleve të Kosovës, vetëm kur komunikojnë me institucionet e Kosovës, por kur komunikojnë me Serbinë, ato përdorin logot dhe vulat serbe.