Vulat Doganore

Serbia dhe Kosova, arritën marrëveshjen për Vulat Doganore më 2 shtator 2011. Kjo nënkuptonte që Serbia u pajtua t’i pranonte vulat doganore të Kosovës.

Para marrëveshjes, konkretisht që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, marrëdhëniet tregtare midis Serbisë dhe Kosovës ishin ndalur. Kjo për faktin se  Beogradi e kishte ndaluar importin e mallrave nga Kosova dhe tranzitin e tyre në vendet e treta. Dy pikat kufitare, Bërnjak dhe Jarinjë, ishin vënë në flakë dhe serbët e Kosovës në veri refuzuan për t’u integruar në sistemin e ri. Për vite, pjesa veriore shërbeu si një zonë ekonomike joformale dhe një terren i përshtatshëm për tregtinë ilegale, ku mallrat nga Serbia lëviznin lirshëm dhe të pataksuara.

Në korrik të vitit 2011, Kosova aplikoi reciprocitetin, duke ndaluar importin e mallrave serbe, dhe për ta zbatuar këtë masë i vendosi njësitet speciale të policisë (në Jarinjë dhe Bërnjak). KFOR-i ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Dy muaj pasi Serbia dhe Kosova ishin dakorduar për Vulat Doganore, e arritën një marrëveshje tjetër, atë për Menaxhimin e Integruar të Kufijve (MIK), që ishte ngushtë e lidhur me të parën.

Zbatimi i marrëveshjes së Vulave Doganore, si i tillë, mori kohë dhe ishte mjaft sfidues. Në veri për shembull, marrëveshja nuk u zbatua në fillim.

Më 17 janar 2013, Kosova dhe Serbia arritën edhe marrëveshjen për Mbledhjen e të Hyrave Doganore, me qëllim të vendosjes së kontrollit doganor në veri, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Kjo marrëveshje parashikonte krijimin e një fondi zhvillimor për katër komunat veriore.

Marrëveshja nënkuptonte që mallrat, tani mund të hynin në Kosovë përmes pikëkalimeve Bërnjak dhe Jarinjë, por të hyrat e mbledhura nga mallrat që janë të destinuara për konsum në komunat veriore, do të transferoheshin në një Fond dhe do të përdoreshin për të promovuar zhvillimin socio-ekonomik në komunat: Leposaviq, Mitrovicë e veriut, Zubin Potok dhe Zveçan.

Për zbatim të kësaj marrëveshje, më 25 korrik 2013, Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Buxhetin (Nr. 04-L165) për vitin 2013.

Më 5 nëntor 2013, palët arritën konkluzionet e dakorduara mbi zbatimin e kësaj marrëveshje, duke u pajtuar që të fillojnë procedurën e mbledhjes së të hyrave më 14 dhjetor 2013 (dy javë pas zgjedhjeve komunale në katër komunat veriore).

Sa i përket mallrave që kanë nevojë për regjim kontrolli (licenca), këto konkluzione, parapanë që kompanitë e pjesës veriore, duhet të aplikojnë për licenca në përputhje me legjislacionin e Kosovës, brenda 3 muajve, nga fillimi i mbledhjes së të hyrave. Gjatë asaj periudhe, kompanitë mund të sillnin mallrat në Kosovë, ku do të duhet të paguanin të gjitha detyrimet doganore, akcizat dhe TVSH-në, në përputhje me legjislacionin e Kosovës. Palët, me tej u obliguan që para 30 nëntorit 2013, të shkëmbenin listat e tyre përkatëse të produkteve dhe pajisjeve të licencuara mjekësore për përdorim njerëzor dhe të atyre për përdorim veterinar.

Zbatimi i dakordimit për licencimin e kompanive nga veriu i Kosovës për mallrat që i nënshtrohen kontrollit/licencimit, filloi më 1 janar 2015. 

Me kalimin e kohës, zbatimi merrëveshjeve të lartpërmendura shënoi një përparim të dukshëm:

  • Mundësoi lëvizjen e lirë të mallrave dhe rregulloi tregtinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
  • Lejoi eksportet e Kosovës në dhe përmes Serbisë. Eksportet e Kosovës në Serbi u rritën në 30 milion euro në vit, ndërsa eksportet e Serbisë në Kosovë arritën afërsisht 400 milion euro në vit.
  • Ndihmoi në vendosjen e sundimit të ligjit dhe reduktimin e ekonomisë joformale, në këtë pjesë; Tregtia e paligjshme në veri ra dukshëm dhe u rrit regjistrimi (në përputhje me ligjin e Kosovës) i kompanive importuese, të cilat më parë operonin në zonën gri.
  • Ndihmoi Kosovën që të anëtarësohet në Organizatën Botërore të Doganave (një hap i rëndësishëm për ngritur marrëdhëniet ekonomike dhe tregtinë me vendet e botës).

Megjithatë, disa probleme mbesin:

  • Përdorimi i vulave paralele me mbishkrimin “Dogana e Prishtinës dhe Mitrovicës së Kosovës” nga autoritetet doganore serbe;
  • Procedura të tej zgjatura kufitare (deri në 12 orë) për eksportuesit nga Kosova;
  • Barriera të tjera jo-tarifore (kushtet sanitare dhe fitosanitare, kufizimet vullnetare të eksportit, licencat e importit, rregullat preferenciale të origjinës, etj.) si dhe vendosja e tarifave.

Marrëveshjet në PDF

Artikujt e ngjashëm