Në Bruksel u mbajt takimi për Energjinë
Bruksel, 12 maj 2015
Më 12 maj 2015, Kosova dhe Serbia u takuan në Bruksel ku mbajtën një takim të rregullt mbi energjinë.
Ministrja e Kosovës për Dialog, Edita Tahiri tha se bisedimet ishin të gjata dhe të rënda dhe se takimi kishte për qëllim tejkalimin e disa pengesave në zbatimin e marrëveshjes për energjinë.
Takimi përfundoi pa rezultate, sepse gjatë gjithë kohës Serbia ishte e angazhuar në të paraqiturit e kërkesave të reja në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit për energjinë.
Pala Serbe ka tentuar të përqendrohet në shpërndarjen e energjisë, ndonëse marrëveshja e bën të qartë se nuk do të ketë kompani të tjera që mund të ofrojnë shërbime për shpërndarjen e energjisë.
Pala Kosovare ka refuzuar kategorikisht të diskutojë temën e shpërndarjes së energjisë, si dhe të gjitha temat e tjera që janë jashtë marrëveshjes.
Në këtë kontekst, Ministrja Tahiri shtoi se pala serbe në mënyrë të përsëritur është përpjekur të inkurajojë diskutime për legalizimin e operatorëve të paligjshëm serb të energjisë që veprojnë në veri, dhe ndër të tjera, ka kërkuar licencimin e kompanisë ilegale “Elektrokosmet” për të ofruar shërbime tregtare, gjë që pala Kosovare e ka kundërshtuar.
Ministrja Tahiri gjithashtu theksoi se pala serbe po vonon qëllimisht dorëzimin e kontrollit të nënstacionit Vallaqi tek autoritetet e Kosovës, duke shkelur marrëveshjen për energji.
Delegacioni i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Ministrja Edita Tahiri përbëhej nga: Valon Murtezaj, këshilltar politik i Kryeministrit; Dren Zeka dhe Elona Cecelia, këshilltarë politikë të Ministres Tahiri; Naim Bejtullahu, Kryeshef Ekzekutiv i KOSTT-it; Kadri Kadriu zëvendës KShE i KOSTT-it; Merita Kostari dhe Krenar Bujupi, Zyra e Rregullatorit të Energjisë; Ardrit Gashi dhe Kushtrim Thaçi, këshilltarë politikë të Ministrit Blerand Stavileci.