Suksesi i dialogut kërkon narrativë të re dhe më shumë sinqeritet nga të dyja qeveritë

Nikola Burazer

5 prill 2022

Serbia dhe Kosova kanë hyrë në  procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, tash e 11 vite. Sipas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, qëllimi i dialogut ishte “promovimi i bashkëpunimit, arritja e progresit në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve’. Mirëpo më vonë epilogu ndryshoi dhe u shndërrua në “marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin”.

Disa marrëveshje, mosmarrëveshje e kriza më vonë, të dy palët arritën progres sa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, por duket se janë po aq larg arritjes së zgjidhjes përfundimtare sa ishin në vitin 2011, kur dialogu filloi, apo në vitin 2012, kur i njëjti kaloi në nivel të lartë politik. Për më tepër duket se i kemi harruar arsyet për të cilat dialogu filloi apo objektivat kryesore të tij.

Atëherë kur Serbia dhe Kosova kishin dështuar- Kosova për të arritur njohje ndërkombëtare dhe sovranitet të plotë, dhe Serbia për të provuar jo-legjitimitetin e Pavarësisë së Kosovës dhe tërheqjen e saj- dialogu kishte dy qëllime kryesore. I pari ishte arritja e “normalizimit” në terren. Kjo mbi të gjitha i referohej pozitës së Serbëve të Kosovës, institucionet e të cilëve do të integroheshin në sistemin e Kosovës, me ç’rast Robert Cooper kishte theksuar që qëllimi  “nuk ishte të ndërrohet realiteti ekzistues por që i njëjti të funksionoj sipas ligjeve“.

Qëllimi i dytë ishte që Serbia dhe Kosova të arrijnë progres drejt anëtarësimit në BE. Ky qëllim u lidh drejtpërdrejt me çështjen e statusit ndonëse palët u përpoqën të shmangin një gjë të tillë.  Serbia nuk mund të hyj në BE pa i zgjidhur mosmarrëveshjet territoriale, ndërkaq Kosova nuk mund të marrë statusin e shtetit kandidat pa aprovim të 5 shteteve anëtare të BE-së të cilat nuk i’a njohin pavarësinë.

Termi “marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve”, që për herë të parë u përmend në janar të vitit 2014 në kornizën negociuese (të BE-së) për Serbisë, është epilogu i këtyre dy objektivave. Pra i zgjidhjes së  çështjeve praktike, mbi të gjitha e lidhur me të drejtat e Serbëve të Kosovës, dhe çështjes së statusit në atë mënyrë që t’ua lejoj të dy palëve hyrjen në BE.

11 vite më vonë, elitat politike nuk kanë bërë asgjë për t’i përgatitur qytetarët e vet lidhur me marrëveshjen përfundimtare dhe kompromiset që ajo ngërthen në vete. Në Kosovë epilogu i dialogut u interpretua si “njohja e ndërsjellë” madje qeveria aktuale ka thënë se nuk do të diskutoj asgjë tjetër. Siç ka thënë Kryeministri Kurti dialogu është “mbi raportin, jo mbi qenien a statusin, ajo është kryer”.

Në Serbi, dialogu ishte një përpjekje për të ruajtur Kosovën si pjesë e Serbisë dhe çështja e epilogut u injorua tërësisht. Hapësira për diskutim të hapur u krijua vetëm në vitin 2017 pas lansimit të “dialogut të brendshëm”, por që përfundoi shpejtë.

Sot, si rezultat direkt i këtyre narrativave, në të dy shoqëritë shohim nivele të ulëta të mbështetjes për çfarëdo skenari të normalizimit realistik.  Qytetarët e përkrahin dialogun në parim, mirëpo jo edhe kompromiset që procesi kërkon, duke pasqyruar kështu edhe qëndrimet e elitave politike. Në anën tjetër, këto të fundit, përdorin opinionet e qytetarëve si arsyetim për mos paraqitje të gatishmërisë për kompromise.

Nëse ndonjëherë do të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, disa gjëra duhet bërë. Më e rëndësishmja është që elitat politike të paraqesin më shumë sinqeritet ndaj popullit. Elita politike në Serbi duhet ta bëj të njohur publikisht faktin se dialogu pretendon ta bëj Kosovën shtet anëtar të BE-së. Elita Kosovare duhet të ndaloj së pretenduari që marrëveshja nuk kërkon reforma të brendshme në vend për të akomoduar Serbët e Kosovës dhe interesat e tyre.

Çka na duhet tjetër për arritjen e marrëveshjes, është ndryshimi i narratives. Qeveritë sillen sikur janë në një ndeshje boksi ku njëra fiton e tjetra humbet, dhe ku secila pretendon se po fiton. Diskursi publik është i ndërtuar mbi gjuhë fyese, paragjykime dhe viktimizime, ndërkaq hulumtimet tregojnë një distancë alarmante etnike në mes të grupeve etnike. Si të jenë në gjendje qytetarët të përkrahnin kompromiset në këto rrethana?!

Fokusi duhet të ndryshojë në atë që të dyja Kosova dhe Serbia, do të fitonin nga përfshirja në mirëbesim në dialogun që synon zgjidhjen e çështjeve të hapura, në dobi të qytetarëve. Poashtu, të dy qeveritë duhet të tregojnë gatishmëri që të paktën të njohin vuajtjet dhe krimet që janë bërë ndaj grupit tjetër etnik, gjatë dekadave të kaluara, dhe të ndihmojnë sadopak në shërimin e plagëve të hapura.  Përderisa kjo mund të jetë vetëm mendim i dëshiruar, e njëjta qëndron edhe për idenë e arritjes së normalizimit gjithëpërfshirës. Të kundërtën nuk e kemi të vështirë ta imagjinojmë, sepse po e jetojmë.

Ky artikull fillimisht është shkruar në Gjuhën Angleze.

Ky artikull financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe nuk reflektojnë pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.