Rishikimi i marrëveshjes historike të vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me një propozim teknik për zgjidhjen e ngërçit në dialog
Në vitin 2013, nën kornizën e dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga BE-ja dhe 14 vjet pas luftës, liderët e të dy vendeve nënshkruan Marrëveshjen e Parë të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve. BE-ja e konsideroj marrëveshjen historike dhe ngjashëm veproi edhe organizata prestigjioze e lajmeve Guardian. Sidoqoftë, në Kosovë marrëveshja nuk u prit mirë. Themelimi i një Komuniteti/Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe (ASM), i eleboruar në 6 prej 15 pikave e marrëveshjes, u shndërrua në temën kryesore të mosmarrëveshjeve. Partitë politike të opozitës, ashtu sikurse dhe shoqëria civile, marrëveshjen e konsideruan si përpjekje për të krijuar një nivel të tretë të qeverisjes, ose një entiteti të ngjashëm me Republika Srpska-n në Kosovë, duke e quajtur atë atë një ‘katastrofë në bërje’. Shqetësimet në Kosovë kryesisht kanë të bëjnë me mundësinë që ASM të ndikojë në mosfunksionimin e shtetit, ndonëse sipas marrëveshjes së vitit 2013 ASM do të ushtronte kompetenca në pajtueshmëri me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale dhe ligjet e Kosovës. ASM është e vetmja pjesë e marrëveshjes që u kundërshtua, ndërkaq pjesa për energjinë, integrimin e strukturave paralele serbe apo gjyqësore në sistem të Kosovës, u injoruan dhe nuk ju njoh mjaftueshëm rëndësia. Marrëveshja e vitit 2013, shënon një hap përpara në shtrirjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës përgjatë shtetit dhe integrimin e komunitetit serb, sidomos në veri të vendit.
Marrëveshja e vitit 2013 është padyshim një shembull pozitiv në kontekstin e përgjithshëm të shqyrtimit demokratik të iniciativave që kanë të bëjnë me ndërtimin e paqes, duke përbërë kështu dhe një rast të rrallë për Kosovën. Tri ditë pasi marrëveshja u arrit në Bruksel, më 22 prill, Kuvendi i Kosovës u takua në një seancë të jashtëzakonshme dhe aprovoi rezolutën që mbështeti dhe përkrahu nënshkrimin e marrëveshjes nga qeveria. Më 28 maj, qeveria e kthehu marrëveshjen në ligj, e cila u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës si marrëveshje ndërkombëtare me votat e 84 prej 120 deputetëve, prej të cilave 3 vota kundër dhe një abstenim. Për më tepër, marrëveshja e vitit 2013 rezultoi në vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale në mes të Bashkimit Evropian (EU) dhe Kosovës që u formalizua me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim (MSA), e cila hyri në fuqi në vitin 2016. Marrëveshja kornizë në mes të BE-së dhe Kosovës për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së hyri në fuqi në vitin 2017, duke krijuar mundësi të reja në sektorë të shumtë brenda vendit për të avancuar shkëmbimet me BE-në. Plani i zbatimit të marrëveshjes së vitit 2013 u dakordua në maj të vitit 2013 në mes të dy qeverive, duke i detajuar të gjithë hapat e nevojshëm për implementimin e të gjitha aranzhimeve të marrëveshjes, përfshirë ASM-në. Një ekip menaxhues ishte i paraparë të themelohet nga të dyja qeveritë duke përfshirë katër komunat në veri të Kosovës, përgjegjësia e të cilit ishte prodhimi i një draft-statuti për ASM-në. Funksionalizimi i këtij ekipi nuk ishte efikas dhe kjo kryesisht si pasojë e mos bashkëpunimit me Beogradin por edhe për shkak të mungesës së vullnetit politik për të themeluar ASM-në sipas marrëveshjes së vitit 2013.
Marrëveshja e vitit 2013, përfshirë nenet për themelimin e ASM-së e kaluan testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vitin 2015. Në vendimin e saj (Nr.K0130/15), Gjykata Kushtetuese konsideroi se marrëveshja e vitit 2013 ishte bërë pjesë e sistemit të brendshëm juridik dhe që themelimi i një komuniteti/ asociacioni është në pajtueshmëri me kërkesat kushtetuese, e si rrjedhojë është pjesë e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Sidoqoftë i njëjti vendim përcakton që parimet mbi të cilat do të themelohej ASM, siç janë përcaktuar me 25 gusht 2015 me titull Asociacioni/Komuniteti i komunave me shumicë Serbe- parimet e përgjithshme/ elementet kryesore, nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese. Qeveria duhet të sigurohet që dekreti për themelim të ASM-së të jetë në pajtueshmëri me kushtetutën si dhe legjislacionin tjetër, siç është Ligji për Bashkëpunim Ndërkomunal. Vendimi e obligon qeverinë që të dërgoj aktin themelues të ASM-së tek Gjykata Kushtetuese për verifikim, procedurë kjo që ofron garancinë e nevojshme për qeverinë, të sigurojë legjitimitet për veprimet e qeverisë për themelimin e ASM-së dhe të parandalojë ndonjë pengesë ligjore (me ASM-në) që është e rëndësishme në funksionalitetin e saj.
Një opsion teknik për të lëvizur në drejtimin e duhur dhe për të thyer status quo-në në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 dhe themelimin e ASM-së, është procedura e koncept dokumentit. Qeveria, sipas rregullave procedurale, obligohet që të përdor koncept dokumentet për të paraqitur vendimet e veta. Si rrjedhojë, qeveria duhet të caktoj një ekip të ekspertëve të punojnë në një koncept dokument për implementimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit 2015 (Nr. K0 130/15). Ky koncept dokument mund ti ofroj qeverisë opsione konkrete të politikë-bërjes në implementimin e marrëveshjes së viti 2013 dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Çka është e rëndësishme të theksohet në këtë kontekst është fakti që as BE-ja dhe as ShBA-të nuk kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës të themelojë ASM-në në mospërputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Për të ecur përpara dhe për të zgjidhur situatën në veri të Kosovës, duhet një qasje që pranon integrimin, njeh dhe respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe komunitetin Serb në veri të Kosovës. Një qasje e tillë do të demonstrojë që Kosova është një akter racional që i qëndron prapa obligimeve të veta ndërkombëtare.
Ky artikull është shkruar në gjuhën angleze.
Ky artikull financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit dhe nuk reflektojnë pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.