Platforma dialogu: një derë e hapur për informim

Diona Grezda

Korrik 2021

Dialogu Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka filluar tash e një dekadë. Ky proces i gjatë që në fillet e tij  pati vendosur interesat e qytetarëve si pikë-synim, përfundoi duke i lënë të njëjtit të painformuar dhe të përhumbur. U arritën marrëveshje, u bënë kompromise, u zgjidhën shumë çështje e u shfaqën disa sfida, por publiku në vazhdimësi mbeti i shkëputur nga gjithë kjo panoramë.   Si pasojë, secila marrëveshje e arritur u shndërrua në një “kafshatë që s’kapërdihet” për qytetarët e Kosovës e të Serbisë.

Kur flasim për marrëveshjet, qytetarët ende i njohin veç disa prej tyre. Mospajtim, mbi të gjitha, ekziston sa i përket numrit të marrëveshjeve të arritura.  Kjo mungesë e transparencës lidhur me aspektet më bazike të procesit, me të drejtë e ka portretizuar atë si destruktiv, dhe vazhdon të nxisë pasiguri sot e kësaj dite.  Sipas Raportit të QKSS-së të Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor 2020, vetëm 18 për qind e qytetarëve në Serbi dhe 11 për qind e qytetarëve në Kosovë janë të familjarizuar me përmbajtjen e dialogut. Ky informacion bëhet dyfish shqetësues kur merret parasysh fakti që dialogu supozohej të përmirësonte jetën e tyre. Për të vazhduar më tutje, 60 për qind e Kosovarëve dhe 71 për qind e Serbëve, besojnë që dialogu nuk ka sjellë asnjë ndryshim. Shto këtu edhe papajtueshmërinë lidhur me qëllimet e dialogut dhe kemi vetëm 47 për qind të Kosovarëve dhe 27 për qind të Serbëve që besojnë në arritjen e marrëdhënieve normale dhe paqësore në mes të dy vendeve në të ardhmen e afërt.

Për të zvogëluar distancën në mes të qytetarëve dhe procesit si dhe për të përcjellë të gjitha zhvillimet që ndodhin në trajektoren e dialogut, Grupi për Ballkan e ka lansuar platformën dialogu-info.com.

Qëllimi në këtë drejtim është shpërndarja e informacionit, por mbi të gjitha, krijimi i formave të informimit që janë inovative, lehtë të qasshme dhe të përshtatshme për përdoruesin. Si rrjedhojë, gjithçka që ju duhet është të shtypni: dialogu-info.com (në Anglisht: dialogue-info.com apo në Serbisht: dijalog-info.com) dhe materiale të shumta për dialogun Kosovë-Serbi ju shfaqen përpara, duke filluar nga më të thjeshtat: videot animuese/informuese, për të vazhduar me më të komplikuarat: raporte të politikave, analiza, vendime etj.

Duke përdorur një klasifikim të bazuar në tematikë, ne kemi paraqitur gjithsej 19 marrëveshje (përshirë Marrëveshjen për Normalizim Ekonomik) të cilat përfshijnë edhe nën-marrëveshje të tjera sipas tematikës.

Në momentin kur përdoruesi klikon në marrëveshjen konkrete, për shembull Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes, atij/asaj i mundësohet të kap përmbajtjen dhe zhvillimet kryesore të saj vetëm duke shikuar videon e animuar 3-minutëshe. Këto video në fakt, fokusohen në sfidat dhe rezultatet e marrëveshjeve konkrete meqë të dy qeveritë kanë dështuar t’i sjellin këto aspekte për publikun. Një numër i qytetarëve për shembull, janë të pavetëdijshëm që Kosova ka pranuar kod shtetëror të telefonisë falë njërës prej marrëveshjeve të dialogut (Marrëveshja për Telekomin, për ata që janë kurioz), ndonëse të gjithë i janë gëzuar faktit që kodi telefonik i Kosovës ka filluar të figuroj në regjistrat ndërkombëtar të telefonisë.  Sa i përket atyre që duan të thellohen më shumë në çështjen konkrete, faqja ofron edhe përmbajtje tekstuale të shoqëruar me info-grafika dhe fotografi (të ngjarjeve, takimeve dhe dokumenteve relevante).

Mungesa e informacionit lidhur me numrin dhe përmbajtjen e marrëveshjeve shoqërohet edhe me mungesë të numrit të takimeve. Përgjatë viteve 2011-2016 janë zhvilluar takime të shumta të niveleve të ndryshme nën kornizën e dialogut (nivel të lartë politik, nivel teknik dhe nivel të grupeve punuese), mirëpo numri i tyre mbetet i diskutueshëm. Butoni i dialogut në këtë mënyrë synon të navigoj rrugën e qytetarëve jashtë flluskës aktuale të paqartësisë, duke ofruar një evidencë të takimeve të dokumentuara në mes të delegacionit të Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu-info është një platformë jo konvencionale që përmban edhe dy komponentë të veçanta: bibliotekën dhe bllogun.

Biblioteka, ashtu sikurse e tregon edhe vet emri, i referohet një biblioteke aktuale të materialeve të dialogut.  Kjo bibliotekë i kushtohet posaçërisht hulumtuesve dhe studentëve, të cilët mund t’i qasen materialeve të ndryshme të dialogut Kosovë-Serbi, të publikuara nga OJQ-të vendore dhe institucionet e Kosovës, Serbisë apo BE-së.

Bllogu, si komponenta e fundit e platformës, simbolizon një komunitet të dialogut, ku individë të ndryshëm (Shqiptar, Serb dhe të nacionaliteteve tjera) ndajnë perspektivat, njohuritë dhe ekspertizën e tyre lidhur me këtë çështje. Bllogu materializon përpjekjet tona për të sjellë dialogun më pranë individëve dhe ju mundëson atyre të perceptojnë të dy realitetet (atë të Shqiptarëve dhe të Serbëve), dhe mbase edhe të ndryshojnë narrativat.

Prandaj, shfrytëzojeni këtë mundësi dhe vizitoni platformën dialogu-info.com. Hapeni derën e informacionit që është në dispozicionin tuaj lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe krijoni pozicionet tuaja të informuara lidhur me procesin. Në fund të fundit dialogu gjithmonë ka qenë për ne –qytetarët.

Ky artikull fillimisht është shkruar në Gjuhën Angleze.

Ky shkrim financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe nuk reflektojnë në pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.