Njohja e Diplomave
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për Njohjen e Ndërsjellë të Diplomave Universitare, më 2 korrik 2011.
Marrëveshja u proklamua nën maksimën “Të ju sigurohet studentëve qasje në programet arsimore dhe në mundësitë e punësimit në tërë rajonin për të shfrytëzuar si është më së miri shkathtësitë dhe talentet e tyre”, dhe ishte tejet e nevojshme, meqë Kosova dhe Serbia nuk i njohin sistemet arsimore të njëra-tjetrës.
Për shumë vite tashmë, serbët e Kosovës i vazhdojnë studimet e tyre universitare në Serbi ose në veri të Kosovës, në Universitetin e Mitrovicës veriore (i njohur për serbët e Kosovës si Universiteti i Prishtinës, përkohësisht i zhvendosur në Mitrovicën e veriut). Ky universitet, megjithëse është në territorin e Kosovës, operon sipas sistemit arsimor serb dhe kjo është arsyeja pse Qeveria e Kosovës e konsideron si institucion paralel.
Kur një person diplomon në ndonjë universitet në Serbi, diploma e tij apo e saj nuk njihet në Kosovë, gjë që e ndërlikon situatën për serbët që kanë studiuar atje dhe janë kthyer në Kosovë. E njëjta gjë vlente edhe për diplomat e lëshuara nga universiteti i Mitrovicës së veriut.
Edhe shqiptarët që banojnë në Serbi (kryesisht në Luginën e Preshevës) përballen me të njejtin problem. Ata zgjedhin të studiojnë në universitetet në Kosovë por sapo diplomojnë dhe kthehen në Serbi, nuk mund t’i verifikojnë diplomat e tyre universitare të lëshuara nga Kosova.
Si rezultat, serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, nuk janë në gjendje të vazhdojnë arsimimin e tyre ose të punësohen në Kosovë e Serbi. Kjo i shtyn ata të kërkojnë punë ose t’i vazhdojnë studimet e tyre diku tjetër.
Sipas marrëveshjes, procesi i njohjes së diplomave, do të kalonte nëpër hapat e më poshtëm:
- Kandidatët e paraqesin aplikacionin e tyre për njohjen e diplomës tek Partneri Implementues (PI), i cili i menaxhon aspektet teknike. SPARK, një OJQ holandeze e fokusuar në arsimin e lartë dhe ndërmarrësi, u zgjodh si partneri implemetues për periudhën 2012-2014.
- PI (ose SPARK) i përcjellë kërkesat tek Asociacioni i Universiteteve Evropiane (AUE), i cili i vërteton (certifikon) diplomat. Serbia dhe Kosova, ishin pajtuar që ta kenë AUE për certifikues të diplomave të tyre, në marrëveshjen e arritur më 21 nëntor 2011 (hap i domosdoshëm përpara se autoritetet e të dyja vendeve të mund të vazhdojnë me procedurën e njohjes së diplomave).
- Autoritetet e Serbisë dhe Kosovës e zbatojnë procedurën e njohjes.
Nga viti 2012 deri në vitin 2014, 408 aplikacione për njohje të diplomave u dorëzuan në Prishtinë dhe 25 në Beograd. Prej tyre, AUE i certifikoi 362 në Prishtinë dhe 13 në Beograd. Në Serbi, njohja e 13 certifikimeve të diplomave nuk ndodhi ngase Gjykata Kushtetuese e Serbisë, në vitin 2014, vendosi që marrëveshja nuk ishte në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën e Serbisë.
Edhe pse nuk ishte e obliguar sipas marrëveshjes, me qëllim të lehtësimit të njohjes së diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës Veriore, Kosova bëri një hap përpara. Në vitin 2015, Qeveria nxori Rregulloren (QRK) – Nr. 21/2015 për procedurat dhe kriteret për lëshimin e certifikatave shtetasve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë marrë diploma nga Universiteti i Mitrovicës së veriut, me qëllim të mundësimit të ri-integrimit të komunitetit serb në sistemin e Kosovës. Pas kësaj rregullore, një Komision (i cili ka përbërje multietnike) për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës veriore, filloi të funksionojë nga maji i vitit 2017. Në këtë drejtim, Kosova ka pranuar 1703 aplikime për njohje të kualifikimeve nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, nga të cilat ka njohur 1629.
Kështu për herë të parë që nga viti 1999, studentët serbë të Kosovës që studiuan në Universitetin në Mitrovicën e veriut, patën mundësi t’iu njihen diplomat dhe të aplikojnë për punë, në sektorin publik në Kosovë.
Më 19 janar 2016, Kosova dhe Serbia, i shtuan përpjekjet e tyre për t’i adresuar këto çështje dhe i qartësuan procedurat për njohje të diplomave.
Ata u pajtuan që:
- Ta ndajnë njohjen e diplomave në dy kategori: profesionale (për mundësi punësimi) dhe akademike (për vazhdimin e studimeve);
- Ta zgjerojnë fushëveprimin e marrëveshjes për t’i përfshirë të gjitha nivelet e arsimit: Arsimi i Lartë (BA, MA, PhD) dhe Arsimi para-universitar (arsimi fillor, i mesëm, profesional dhe niveli i pestë i kualifikimit sipas Kornizës Evropiane të Kualifikimeve – KEK); dhe
- Ta krijojnë një grup implementues trepalësh (për ta monitoruar zbatimin).
Sidoqoftë, përkundër të gjitha aranzhimeve, të dyja palët nuk arritën ta materializojnë njohjen e diplomave.
Me 4 Shtator 2020 Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për Normalizim Ekonomik në Washington D.C. Përmes kësaj marrëveshje, palët ripërtërinë përkushtimin e tyre ndaj njohjes së ndërsjelltë të diplomave dhe certifikatave profesionale, por deri tani ende nuk janë ndërmarrë hapa konkret dhe studentët ende po i vuajnë pasojat e mundësive të limituara në arsim dhe punësim.