Një kornizë e re për dialogun e vjetër
06 Prill 2022
Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk po funksionon tash e një kohë. Një hap përpara për atë që mungon, ndiqet nga një hap prapa me mungesën e një marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve. Rezultati tashmë dihet –nuk ka ndonjë indikacion për arritjen e ndonjë marrëveshje së shpejti. Presioni ndërkombëtar nuk është më efektiv dhe duket qartë se dialogu kërkon një kornizë të re. Sidoqoftë, përpara se të prezantohet një zgjidhje inovative, është e nevojshme të konfrontohen disa mite të cilat po e pengojnë progresin në proces për më shumë se një dekadë.
E para është trajtimi i zgjedhjeve në Serbi dhe në Kosovë si pikë kthimi dhe mundësi për të risetuar marrëveshjet. Në disa raste gjatë viteve të fundit është parë se kanë munguar zgjidhjet përkundër qeverive stabile. Kalkulimi është i thjeshtë, asnjë nga akterët politik nuk dëshiron të ndërmarrë një veprim që do i kushtonte mbështetjen e madhe. Për aq kohë sa kjo narrativë të jetë prezente nuk do të ketë hapa të mëdhenj politik përpara.
Një mit tjetër është pretendimi për njohje të ndërsjellë si zgjidhja përfundimtare e procesit. Si shtet anëtar i OKB-së me prospekt të largët për anëtarësim në BE, Serbisë nuk i duhet njohja e Kosovës. Qeveria në Prishtinë insiston në atë që statusi nuk është çështje diskutimi dhe se dialogu nuk përbën prioritet. Në të njëjtën kohë, po bëhen përpjekje të mëdha për pranimin e shtetësisë së Kosovës nga 5 shtetet anëtare të BE-së, apo 4 shtetet e NATOs. Kjo tregon që i tërë dialogu për normalizim të marrëdhënieve është peng i kërkesës për njohje ndërkombëtare të Kosovës. Ekzistojnë pritje që marrëveshja për normalizim të jetë e mjaftueshme për të hapur qoftë edhe një mundësi hipotetike për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në NATO apo në BE.
Miti i tretë është që normalizimi i marrëdhënieve patjetër nënkupton pajtim në mes të Serbëve dhe Shqiptarëve. Realiteti është ndryshe, gatishmëria politike për të njohur viktimat, shoqëruar nga ndryshimi i narrativave përmes marrëveshjes politike mund të filloj një proces të vështirë dhe të gjatë të pajtimit.
Hapat që duhet të merren për të revitalizuar dialogun ose për ta ri definuar tërësisht atë janë:
Së pari nevoja e dukshme për të pasur një takim direkt të palëve pa përfshirjen e ndërmjetësve të Amerikës apo Evropës. Beogradi dhe Prishtina janë duke i’u shmangur kësaj jo për shkak të statusit të tyre por sepse një gjë e tillë nënkupton marrjen e përgjegjësisë. Një takim direkt, nëse jo në nivel të liderëve, në nivel të grupeve teknike do ishte i nevojshëm për të marrë përgjegjësi për procesin dhe për rezultatet e tij. Nëse nuk ndodh një hap i tillë, dialogu do të vazhdoj të prezantohet në të dy shoqëritë si aktivitet i dëmshëm dhe i imponuar e që po ndodh vetëm për shkak të presionit ndërkombëtar.
Hapi i dytë është revitalizimi i statusit derisa të arrihet një marrëveshje finale. Pozicionet aktuale janë të tilla që edhe një çështje si ajo e targave të veturave kthehet në debat: nëse Serbia e ka njohur Kosovën apo e ka poshtëruar atë si akter të pabarabartë. Vendosja e reciprocitetit me Serbinë, shtetit nga i cili varet njohja ndërkombëtare e Kosovës, ka efekt të limituar. Së pari, pa një marrëveshje me Beogradin, Kosova mbetet përgjithmonë me status të kontestuar në një kategori me konfliktet e ngrira nëpër botë. Së dyti, çdo masë reciproke i rrezikon fillimisht Serbët e Kosovës, dhe jo Beogradin zyrtar. Mungesa e tolerancës për të drejtën e Serbëve që të jetojnë në “të dy botët” në aspektin afatgjatë nënkupton Kosovë mono etnike me shtetësi të kontestuar.
Një qasje më fleksibile ndaj statusit nënkupton çlirim prej presionit ndaj të cilit Serbët e Kosovës ekspozohen. Përveç për Prishtinën, kjo qëndron edhe për Beogradin, i cili kërkon prej komunitetit serb në Kosovë që të integrohen në institucionet e Kosovës, të jenë besnik ndaj Beogradit dhe të mbajnë pozicion neutral politik.
Obligimi i tretë i dialogut është përballja institucionale me të kaluarën në mënyrë që të ndalohet instrumentalizimi i mëtejshëm politik. Manipulimi i së kaluarës kërkon formimin e një komisioni të përbashkët që sjellë deri te njohja zyrtare e viktimave përmes një regjistrimi të detajuar. Gabimet e Beogradit dhe Prishtinës vërehen kryesisht në këtë temë. Qeveria e Albin Kurtit e filloi mandatin me viktimizim, promovim të termit gjenocid, që nuk njihet nga asnjë gjykatë ndërkombëtare, injorim të listës së Serbisë dhe stigmatizim të gjithë komunitetit etnik. Qeveria në Serbi poashtu promovon viktimizimin duke i portretizuar serbët si viktimat ekskluzive, dhe shqiptaret si terrorist. Narrativa dominante me të cilën prezantohet Prishtina si armik, dhe çdo marrëveshje me Prishtinën si akt i tradhtisë, nuk lë vend për ndonjë marrëveshje.
Hapi i katërt është vendosja e prioriteteve të brendshme që inkurajojnë suksesin e dialogut. Për qeverinë në Prishtinë kjo kërkon integrimin e komunitetit serb, respektimin e trashëgimisë së tyre kulturore dhe inkurajimin e aspiratave të serbëve të rinj që të jetojnë në zona urbane dhe të jenë anëtare të plotë të shoqërisë kosovare. Qeveria në Beograd ka për obligim të de monopolizoj të drejtën për të përfaqësuar serbët e Kosovës, të insistoj në projekte ekonomike dhe infrastrukturore në të cilat autoritetet në Prishtinë do të jenë prezent si partner të barabartë, përfshirë iniciativën Ballkani i Hapur të mbështetur nga BE-ja dhe ShBA-të.
Së fundmi, me luftën në Ukrainë janë shtuar thashethemet për fillimin e një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor. Ndonëse NATO garanton sigurinë në Bosnjë dhe Kosovë, një gjë e tillë nuk i ndalon akterët e papërgjegjshëm nga shfrytëzimi i mosmarrëveshjeve ekzistuese në rajon. Instrumentalizimi i frikës globale për konflikte të reja kërkon një deklaratë të përbashkët nga të dyja anët që paqja e qëndrueshme është në thelb të procesit të normalizimit të marrëdhënieve.
Ky artikull fillimisht është shkruar në Gjuhën Angleze.
Ky artikull financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe nuk reflektojnë pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.