Takime për çështjet e Energjisë, Licencimit të Kompanive të pjesës veriore si dhe çështjen e Importit të Medikamenteve
Bruksel, 17 dhjetor 2014
Ministrja për Dialogun e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri ishte në Bruksel, ku mori pjesë në takimet e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë ditës së parë të takimeve, është diskutuar për çështjen e energjisë, përkatësisht për regjistrimin e një kompanie të re për shërbime të caktuara siç e parasheh marrëveshja për energjinë.
Palët poashtu diskutuan për çështjen e licencimeve të kompanive të pjesës veriore që importojnë mallra që i’u nënshtrohen kontrollit të veçantë nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës.
Diskutimet mbi zbatimin e marrëveshjes për energji, ishin fokusuar në themelimin e kompanisë së re të regjistruar në Kosovë, konform marrëveshjes së Brukselit dhe ligjeve të Kosovës për energji, që do të ofroj shërbime si: faturimi, inkasimi dhe mirëmbajtja në komunat veriore.
Ndërkaq në takimet për çështjen e licencimeve të kompanive të pjesës veriore të Kosovës, u konstatua që tashmë shumica e kompanive të pjesës veriore janë regjistruar si dhe një pjesë kanë aplikuar për licencime tek institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe konform marrëveshjes.
Agjencitë e Kosovës kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejta me kompanitë e pjesës veriore e të cilëve u kanë ofruar ndihmën e nevojshme dhe informatat për aplikim dhe licencim përmes Zyrës Administrative në Mitrovicën e Veriut dhe Doganës së Kosovës ose edhe direkt përmes institucionit përkatës që i licencon kompanitë sipas legjislacionit.
Ndër të tjera u konfirmua se afati i fundit për aplikim për licencim është 31 dhjetori 2014 dhe kompanitë që nuk aplikojnë nuk do të kenë mundësi të importojnë mallra të pa licencuara.
Sa i përket importit të medikamenteve u bisedua për nevojën e reciprocitetit të Certifikatave të Produkteve Farmaceutike që lëshohen nga autoritet përkatëse të të dyja shteteve dhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në mes të institucioneve qendrore dhe lokale të shëndetësisë në pjesën veriore, në mënyrë që institucionet lokale shëndetësore të furnizohen me medikamente konform legjislacionit të Kosovës, praktikave dhe standardeve të Bashkimit Evropian.
Në këtë kontekst, ishte diskutuar edhe për përpilimin e një liste të barnave që mund të vijë nga Serbia për katër komunat e pjesës veriore të Kosovës si donacion nga ana e Serbisë.
Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja Edita Tahiri, në përbërje kishte: Dren Zeka, Këshilltar kryesor politik i Ministres Edita Tahiri.
Në grupin punues të Energjisë ishin: Elona Cecelia, këshilltare dhe koordinatore; Gazmend Mejzini, Kryeshef i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve; Gazmir Raci, këshilltar politik dhe koordinator për çështjen e licencimeve dhe Bekim Mehmetaj nga Doganat e Kosovës, ndërsa grupin punues për importin e medikamenteve e përbënin Arjeta Rexhaj, këshilltare politike e Ministres, Edita Tahiri dhe Arianit Jakupi, kryeshef i Agjencisë së Kosovës për Produkteve dhe Pajisje Medicinale.