Në Bruksel u mbajt takimi i radhës për Telekomin
Bruksel, 28 janar 2014
Nën drejtimin e zëvendëskryeministres Edita Tahiri, delegacioni Kosovës mori pjesë në takimin e radhës për çështjen e telekomunikacionit, mbajtur në Bruksel.
Në këtë takim, delegacionet e të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë, biseduan rreth planit të veprimit të marrëveshjes për telekomin.
Zv. kyeministrja Tahiri, deklaroi se ky takim ishte i fokusuar zbatimin e marrëveshjes së telekomit dhe në të u shënuan përparime mjaft të mëdha në të gjitha aspektet e përcaktimit të obligimeve dhe afateve kohore për të dyja palët.
Ajo ishte optimiste se plani i veprimit mund të kompletohet së shpejti për t’i hapur rrugë zbatimit praktikë të marrëveshjes së telekomit.
Delegacioni i Kosovës, përmendi që kanë kërkuar që Bashkimi Evropian të nis përgatitjet për procesin e ndihmës që do t’ia ofroj Kosovës për marrjen e kodit telefonik nga Organizata Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU).
Në takim palët biseduan edhe për zbatimin e marrëveshjes së roming-ut në mes operatorëve të të dyja shteteve me qëllim të uljes së kostos së shërbimeve të telefonisë mobile. Palët u pajtuan se kufijtë e frekuencave në mes dy shteteve duhet të respektohet dhe të mos ketë më ndërhyrje në brezin frukuencor të njëra-tjetrës.
Në delegacionin e Republikës së Kosovës të udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ishin edhe Gazmir Raci, këshilltar politik dhe Koordinator politik i çështjes; Ekrem Hoxha, kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP); Besnik Berisha, anëtarë i bordit të ARKEP-it; Ilir Imeri, udhëheqës i departamentit të komunikimeve elektronike në ARKEP; Besim Rexhepi nga departamenti per menaxhimin e frekuencave në Komisionin e Pavarur për Media; Shpetim Qerimi, projekt menaxher nga PTK-ja dhe Robert Erzin, Drejtor Ekzekutiv i IPKO-s.