Në Bruksel u diskutua për çështjen e Sigurimeve Kufitare të Automjeteve

Bruksel, 18 janar 2014

Delegacioni i kryesuar nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri mori pjesë në takimin e radhës të grupit për zbatimin e marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes, ku u diskutua për çështjen e sigurimeve kufitare të automjeteve.

Takimi u zhvillua në mes të delegacionit të Kosovës dhe ndërmjetësve të BE-së lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshje kornizë për çështjen e sigurimeve kufitare për automjete.

Mundësia e arritjes së kësaj marrëveshje do të kontribuoj në masë të madhe në uljen e çmimeve të sigurimeve kufitare dhe njëkohësisht do të lehtësoj lirinë e lëvizjes në mes të dy shteteve fqinje.

Ishte vlerësim i përbashkët i delegacionit të Kosovës dhe ndërmjetësve të BE-së që një zgjidhje më permanente për uljen e çmimeve dhe lehtësimin e kalimeve kufitare duhet të jetë synim i përbashkët. Prandaj edhe ky takim ka qenë i frytshëm në arritjen e pajtueshmërisë së palëve në dialog që pritet të rezultojë me arritjen e një Memorandumi të Mirëkuptimit në mes të Byrosë së Sigurimeve të Kosovës si përfaqësues legjitim i industrisë së sigurimeve, dhe Asociacionit të Sigurimeve të Serbisë.

Palët poashtu u dakorduan edhe për hapat e mëtutjeshëm lidhur me arritjen e marrëveshjes.

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, kishte në përbërje Qemajl Marmullakaj nga Zyra e Kryeministrit dhe koordinator për çështjen e sigurimeve të automjeteve dhe delegacionin nga Byroja e sigurimeve të Kosovës.