Mundësitë e burimeve ujore në Liqenin e Ujmanit

Robert Muharremi

Shtator 2021

Në qershor 2021, Laboratori Kombëtar i Paqësorit Veriperëndimor (PNNL) publikoi një raport të titulluar “Mundësitë e burimeve ujore në Liqenin e Ujmanit” (“Raport”), i cili i vlerëson mundësitë që Kosova dhe Serbia ta koordinojnë përdorimin e tyre të burimeve ujore në Liqenin e Ujmanit. Departamenti Amerikan i Energjisë ngarkoi PNNL-në që ta përgatiste këtë raport si pjesë të angazhimeve sipas Marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, me ç’rast Serbia dhe Kosova u pajtuan të punojnë me Departamentin Amerikan të Energjisë në një studim fizibiliteti për qëllime të ndarjes së Liqenit të Ujmanit si një burim të besueshëm të furnizimit me ujë dhe energji.

Liqeni i Ujmanit është një rezervuar artificial në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Liqeni u krijua nga ndërtimi i pendës së Ujmanit në lumin Ibër ndërmjet viteve 1979 dhe 1985. Aktualisht, nuk ka asnjë marrëveshje ndërkufitare për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e Liqenit të Ujmanit.

Sistemi ujor i Liqenit të Ujmanit përbëhet nga penda e Ujmanit dhe penda e Pridvoricës, që e rregullon lëshimin e ujit nga penda e Ujmanit në kanalin Ibër-Lepenc. Sistemi i Ujmanit dhe kanali Ibër-Lepenc i furnizojnë me ujë të pijshëm Mitrovicën veriore dhe Mitrovicën jugore, Vushtrrinë, Gllogocin, Obiliqin dhe Prishtinën. Ato i mbështesin operacionet e bujqësisë dhe të minierave dhe sigurojnë ujë për ftohje për termocentralet Kosova A dhe B me bazë thëngjilli. Ndërmarrja shtetërore hidro-ekonomike Ibër-Lepenc operon dhe e mirëmban këtë sistem të ujit.

 

Bazuar në vlerësimin e kryer nga PNNL-ja, siguria e ujit në Kosovë është e cenueshme. Faktorët kryesorë që kontribuojnë në këtë janë si vijon:

  • ndryshueshmëria e përgjithshme e furnizimit me ujë;
  • mungesa e magazinimit jashtë liqenit të Ujmanit mund të rezultojë në mungesë të furnizimit me ujë në të ardhmen;
  • infrastruktura ekzistuese e ujit është e cenueshme ndaj rreziqeve natyrore, si rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet, dhe nuk mirëmbahet ose nuk është e modernizuar
  • për shkak të mungesës së rregulloreve, rreziku i ndotjes së ujit sipërfaqësor dhe ujit të pijshëm është i lartë, duke paraqitur shqetësime sanitare dhe shëndetësore;
  • mungesa e mbështetjes financiare për operacionet e infrastrukturës së ujit.

Shqetësimi kryesor është se kapaciteti i magazinimit të ujit në Kosovë është i pazhvilluar; ka vetëm 300 m3 të magazinimit për person. Pjesa më e madhe e këtij magazinimi është në Liqenin e Ujmanit. Dy termocentralet e Kosovës, të cilat e prodhojnë pothuaj tërë energjinë elektrike në Kosovë, furnizohen me ujë për ftohje nga Liqeni i Ujmanit. Në të vërtetë, më shumë se 97 për qind e prodhimit të energjisë elektrike të Kosovës mbështetet në lëshimin e ujit nga Liqeni i Ujmanit. Sipas PNNL-së, “ky magazinim i kufizuar i ujit, pa mirëmbajtje të duhur dhe i menaxhuar në mënyrë joefikase, i kombinuar me vendndodhjen e tij, e lidh ngushtë sigurinë e ujit me sigurinë e energjisë dhe sigurinë kombëtare në Kosovë”. Siguria e ujit dhe siguria e energjisë në Kosovë janë të ndërlidhura dhe janë kryesoret për sigurinë kombëtare, dhe Liqeni i Ujmanit është pasuri jetike në këtë kontekst.

Përveç kësaj, sistemet ekzistuese të informimit aktualisht parandalojnë planifikimin e prodhimit të hidrocentraleve në një mënyrë që i rrit të ardhurat. Sistemet e informimit të përdorura në termocentrale do të ishin të vjetruara dhe kjo do të çonte në mungesë të koordinimit me prodhimin e hidrocentraleve. Gjithashtu do të kishte mungesë të praktikave të qëndrueshme për shpërndarjen e lëshimeve të ujit nga Sistemi i Ujmanit në devijimet e kanaleve dhe në shtratin natyror të lumit Ibër.

Prandaj, PNNL-ja rekomandon

  • përmirësimin e infrastrukturës së ujit, përfshirë ndërtimin e një rezervuari të ri të ujit;
  • zbatimin e një sistemi të Kontrollit Mbikëqyrës dhe Marrjes së të Dhënave (SCADA) në hidrocentralin e Ujmanit për t’i rritur të ardhurat e termocentraleve dhe për ta mbështetur më tej baraspeshën e ngarkesës; dhe
  • shqyrtimin e formimit të një komisioni ose komiteti të Lumit Ibër që do t’i mbështeste akterët rajonalë dhe do t’i koordinonte operacionet në lumenj. Një komision për lumenj do ta mbështeste diskutimin ndërmjet palëve lidhur me mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore, përfshirë veprimet e secilës palë që do të ndikonin drejtpërdrejt në furnizimin me ujë dhe shërbime të lumenjve për palën tjetër. Për këtë qëllim, PNNL-ja propozon që Serbia dhe Kosova ta marrin parasysh koordinimin teknik të zhvilluar sipas Traktatit SHBA – Kanada për lumin Kolumbia.

PNNL-ja thekson se sistemi ujor i Liqenit të Ujmanit është vendimtar për sigurinë e ujit dhe të energjisë së Kosovës dhe për sigurinë e saj kombëtare. Uji do të bëhet aset strategjik, posaçërisht nëse ngrohja globale vazhdon, dhe Liqeni i Ujmanit është jetik për Kosovën dhe zhvillimin e saj socio-ekonomik. Megjithatë, si liqen ndërkufitar, PNNL-ja sugjeron që Kosova duhet të bashkëpunojë me Serbinë për t’i përmbushur nevojat e saj për sigurinë e ujit sepse liqeni mbushet me ujë nga Serbia. Pjesë të këtij liqeni gjenden edhe në Serbi. Zbatueshmëria e të drejtës ndërkombëtare për ujë është e diskutueshme sepse Kosova nuk e ka nënshkruar asnjë marrëveshje ndërkombëtare që i rregullon rrjedhat ujore ndërkombëtare dhe e drejta ndërkombëtare zakonore për ujë, në masën ekzistuese, kundërshtohet nga Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Një komision për lumenj, i bazuar në një marrëveshje bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka për qëllim tejkalimin e këtyre pengesave duke i vendosur rregullat e nevojshme për furnizim me ujë, kontrollin e përmbytjeve dhe menaxhimin e infrastrukturës. PNNL-ja e përdor Traktatin SHBA – Kanada për Lumin Kolumbia (“Traktati”) për ta përshkruar strukturën e ndërlikuar institucionale që nevojitet për ta koordinuar furnizimin me ujë dhe kontrollin e përmbytjeve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Pellgu i Lumit Kolumbia është një lum ndërkufitar në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara. Qëllimi i Traktatit është të sigurojë menaxhim adekuat të rrezikut nga përmbytjet, furnizim të sigurt dhe ekonomik me energji dhe mbrojtje të funksionimit të bazuar në ekosistem. Në këmbim për ndërtimin e katër pendëve që krijojnë depozita uji për kontrollin e përmbytjeve dhe hidrocentrale që i sjellin përfitime SHBA-së, SHBA-ja u pajtua t’i paguajë Kanadasë para kesh dhe përfitime nga hidrocentralet (e njohur si “E drejta kanadeze”). Traktati zbatohet nga njësitë amerikane dhe kanadeze, të cilat formojnë borde dhe komitete të ndryshme, si Bordi i Përhershëm Inxhinierik ose Komiteti Inxhinierik.

Nuk ka rëndësi nëse Traktati SHBA – Kanada për Lumin Kolumbia është modeli i duhur për një bashkëpunim të tillë ndërqeveritar, apo nuk është i përshtatshëm. Ai sigurisht është një model i dobishëm për ta filluar procesin e të menduarit. Ka edhe mekanizma të tjerë ndërkufitarë për menaxhim të lumenjve në gjithë botën, të cilët duhet të vlerësohen dhe krahasohen me njëri-tjetrin për të parë se cilët elementë do t’i përshtaten më së miri Liqenit të Ujmanit. Qeveria amerikane është zotuar t’i mbështesë Kosovën dhe Serbinë për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme për bashkëpunimin ndërkufitar për ujë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe siguria e ujit të Kosovës vërtet varet nga ky liqen.

PNNL-ja sugjeron që qeveria duhet t’i ndërmarrë masat që mund t’i marrë në mënyrë të njëanshme, si ndërtimi i një rezervuari të ri për magazinim të ujit, rritja e burimeve financiare për menaxhim më efektiv dhe më efikas të burimeve ujore, përfshirë zbatimin e një sistemi SCADA. Më e rëndësishmja, siguria e ujit duhet të merret seriozisht dhe sistemit të ujit të Liqenit të Ujmanit duhet t’i jepet prioritet i lartë politik. Injorimi i ndjeshmërisë së problemit dhe shmangia e një zgjidhjeje bilaterale do të ishte vetëm në dëm të Kosovës si një vend në rrjedhën e poshtme që varet nga Liqeni i Ujmanit. Me mbështetjen e SHBA-së, PNNL-ja konsideron që Kosova ka mundësi të madhe për ta arritur një zgjidhje të barabartë bilaterale me Serbinë që mund të ketë efekte të mëdha në fushat e tjera ku nevojitet bashkëpunimi dhe koordinimi bilateral me Serbinë dhe kështu do t’i kontribuojë paqes dhe sigurisë në rajon.

Ky artikull fillimisht është shkruar në Gjuhën Angleze.

Ky shkrim financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe nuk reflektojnë në pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.