Librat e Gjendjes Civile

Kosova dhe Serbia e arritën marrëveshjen për Librat e Gjendjes Civile më 2 korrik 2011, duke shprehur kështu përkushtimin e tyre për të krijuar një regjistër civil të besueshëm në Kosovë.

Meqë dialogu supozohej të përmirësonte jetën e qytetarëve, tema e librave të gjendjes civile u rendit në mesin e çështjeve prioritare.

 

Gjatë vitit 1999, shumica e librave të gjendjes civile dhe dokumenteve personale në Kosovë ishin shkatërruar, humbur ose zhvendosur në Serbi, andaj, kosovarët u sfiduan me problemin e mungesës së të dhënave personale. Kjo gjendje ndikoi në qasjen e qytetarëve në sistemin e mirëqenies sociale, punësimin, transaksionet pronësore, regjistrat dhe transaksionet bankare e financiare, lejet e vozitjes dhe mundësitë tjera.

Administrata e UNMIK-ut e kishte rekonstruktuar regjistrin e gjendjes civile në Kosovë, duke lëshuar dokumente dhe certifikata të gjendjes civile për “banorët e përhershëm” (një term i përdorur nga UNMIK-u që i referohej: 1) personave që kishin lindur në Kosovë; 2) personave që kishin të paktën njërin prind të lindur në Kosovë; ose 3) personave të cilët mund të dëshmonin se kanë jetuar vazhdimisht në Kosovë për së paku 5 vjet); që përveq tjerash ishte e nevojshme për të krijuar regjistrin parazgjedhor dhe për të kontribuar në luftën kundër kriminalitetit dhe trafikimit.

Përkundër përpjekjeve të institucioneve lokale të Kosovës dhe të UNMIK-ut për ta rikrijuar regjistrin e gjendjes civile, kishte ende shumë qytetarë pa dokumente personale ose me kopje të papërputhshme të certifikatave të gjendjes së tyre civile.

Deri në tetor të vitit 2001, UNMIK-u kishte lëshuar mbi 977,000 letërnjoftime dhe 77,500 dokumente të udhëtimit (të UNMIK-ut) për qytetarët e Kosovës.

Zbatimi i marrëveshjes për Librat e Gjendjes Civile, filloi vetëm katër ditë pas arritjes së saj.

Serbia nuk pranoi t’i kthejë librat origjinale, por vetëm kopjet e skanuara të tyre.

Në përputhje me marrëveshjen:

  • Një “komision i përbashkët” trepalësh i ekspertëve (nga të dy palët dhe EULEX-i) identifikuan librat origjinal të regjistrave të gjendjes civile, të para vitit 1999, të cilat mungonin;
  • EULEX-i e bëri certifikimin e të gjitha librave origjinale, komunë për komunë, në konsultim me të dy palët, në rastet kur kërkohej;
  • Ndërsa organizata Këshilli Danez për Refugjatë (DRC) e ofroi ndihmën e nevojshme teknike.

BE-ja e financoi projektin dhe të dy qeveritë kontribuan (Serbia duke i mbuluar pagat e stafit që punoi në përpunimin e të dhënave, ndërsa Kosova duke e dhënë në shfrytëzim programin e saj të skanimit, me vlerë 400,000 €).

Qendra ku u bë certifikimi ishte në qytetin e Nishit në Serbi dhe procesi përfshiu trajnimin e stafit, transportimin e librave origjinalë të regjistrit civil prej komunave të ndryshme në Nish dhe anasjelltas, si dhe digjitalizimin e tyre.

Në vitin 2012, , Kosova miratoi Udhëzimi Administrativ për përdorimin e kopjeve të certifikuara të regjistrave origjinal të gjendjes civile të Kosovës për të përcaktuar procedurat sipas të cilave kopjet e skanuara do të mund të konsideroheshin si origjinale.

Palët iniciuan një pilot projekt duke marrë imazhe/regjistruar, printuar dhe verifikuar librat  fetarë, certifikatat e lindjes dhe martesës të komunës së Lipjanit dhe Janjevës, për të vazhduar me të tjerat. Në fillim të dhjetorit të vitit 2011, Serbia e kopjoi librin e parë origjinal të regjistrit civil nga komuna e Lipjanit dhe Janjevës dhe EULEX-i e certifikoi atë. Rrjedhimisht, më 20 dhjetor të vitit 2011, EULEX e dorëzoi atë në Prishtinë.

Deri në mars të vitit 2014, marrëveshja u zbatua teksa Serbia i ktheu në Kosovë 12,036 kopje të skanuara të librave të gjendjes civile, të cilat për nga origjina i përkisnin komunave si në vijim:

Periudha e implementimit u prit të zgjaste jo më shumë se 9 muaj, por në realitet zgjati 2 vite (deri më 6 mars 2014). Sidoqoftë, zbatimi i kësaj marrëveshje shënoi një arritje të madhe që solli rezultate të prekshme dhe pozitive:

  • I mundësoi Kosovës që ta konsolidoj sistemin e saj të regjistrit të gjendjes civile; dhe
  • E lehtësoi zbatimin e kritereve që ndërlidhen me sigurinë e dokumenteve, në kuadër të kornizës së procesit të liberalizimit të vizave me BE-në.

 

Marrëveshjet në PDF