Kosova dhe Serbia arrijnë Marrëveshjen dhe Planin e Veprimit për Energjinë
Prishtinë, 18 tetor 2014
Më 18 tetor 2014, zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri mbajti një konferencë për media. Ajo njoftoi për disa zhvillime pozitive në lidhje me marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Në këtë konferencë shtypi morri pjesë edhe z. Naim Bejtullahu, kryeshef i KOSTT-it.
“Në procesin e dialogut të deritashëm dhe në takimin e fundit që patëm në Bruksel u aprovua plani i veprimit për energji. Me fjalë të tjera është aprovuar plani për zbatimin e marrëveshjes së energjisë pas bisedimeve që zgjatën një vit. Në shtator të vitit të kaluar marrëveshja për energjinë është nënshkruar nga ana e kryeministrave të dyja vendeve, të Kosovës dhe të Serbisë dhe zonjës Ashton. Tani është përcaktuar edhe plani për zbatim. Në ndërkohë është arritur edhe një marrëveshje mes autoriteteve të dy dyja vendeve për transmisionin e energjisë, përkatësisht të KOSTT-it nga ana e jonë dhe autoritetit homolog në Serbi. Kjo është arritur me ndërmjetësimin dhe nënshkrimin edhe nga ana e Bashkimit Evropian” tha Tahiri.
Tutje, ajo shtoi se “me nënshkrimin e këtyre marrëveshje po hapët një kapitull i ri për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë, sipas standardeve evropiane. Qeveria e Kosovës konsideron se bashkëpunimi ndërshtetëror për çështjet e energjisë është shumë i rëndësishëm, jo vetëm në rritjen e cilësisë së energjisë për qytetarët e të dyja shteteve, por edhe për stabilitetin energjetik rajonal”. “Me këtë, ne si shtet po plotësojmë standardet për fqinjësi të mirë në të gjitha fushat, edhe në fushën e energjisë. Në fakte këto janë edhe kushtet për të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE”, tha Tahiri.
“Është shumë me rëndësi të theksohet se me këtë marrëveshje shuhen të gjithë operuesit ilegal të energjisë elektrike që kanë vepruar në pjesën veriore të vendit tonë. Tani fillon edhe normalizimi i procesit për sigurimin e energjisë për katër komunat në veri dhe ky është një lajm i mirë për gjithë qytetarët tanë. Lidhur me kompensimet sidomos për transmetimin e energjisë ndërkaq rregullatorët e të dyja shteteve inkurajohen që të bashkëpunojnë në fushat me interes të përbashkët”, shtoi më tej zëvendëskryeministra Edita Tahiri.