Energjia
Serbia dhe Kosova e arritën Marrëveshjen për Energjinë, më 8 shtator 2013.
Marrëveshja synoi normalizimin e marrëdhënieve të tyre, në fushën e energjisë, duke:
- Vendosur dhe rregulluar marrëdhëniet në mes të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (OST-ve); EMS është Operatori i Sistemit të Transmisionit i Serbisë ndërsa KOSTT është Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Kosovës.
- Mundësuar anëtarësimin e KOSTT-it në ENTSO-E me mbështetjen e EMS-së.
- Themeluar një kompani të re, në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Kosovës, për të furnizuar me energji elektrike të katër komunat veriore (Mitrovicën e veriut, Zveqanin, Zubin Potokun dhe Leposaviqin); Kjo kompani (Elektrosever) ka për qëllim transformimin e operatorëve të paautorizuar të energjisë në veri, në një operator të autorizuar.
Nevoja për t’i normalizuar marrëdhëniet energjetike në mes të Kosovës dhe Serbisë, erdhi si rezultat i kontrollit që ushtronte Serbia mbi infrastrukturën energjetike të Kosovës edhe pas pavarësisë.
KOSTT-i ishte pjesë e Bllokut të Kontrollit të SMM (Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut); i cili koordinohet nga OST e Serbisë.
KOSTT-i nuk ishte i njohur nga Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike ose ENTSO-E (që i ka 42 anëtarë nga 35 vende të ndryshme), kështu që nuk mund të funksiononte në mënyrë të pavarur. Rrjedhimisht Kosova nuk ishte në gjendje të taksonte kompanitë e vendeve të tjera, që i përdornin rrugët e saj të transmisionit të energjisë dhe për ngarkesat që krijoheshin, në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe evropiane për energjinë, dhe bashkëpunimin e shteteve në fushën e transmisionit dhe energjisë.
Në komunat veriore (Mitrovicë e veriut, Zveqan, Zubin Potok dhe Leposaviq), operatorët e energjisë së Kosovës, nuk mund të veprojnë. Përkundrazi, infrastruktura e energjisë operohet dhe kontrollohet nga EPS Elektrokosmet, një kompani/OST shtetërore serbe. Megjithëse ndërmarrja regjistron konsumin e energjisë familjare, nga viti 1999, ajo nuk i faturon konsumatorët. Për Kosovën, kjo kompani është një operator i paautorizuar i energjisë, që operon në territorin e saj.
Kjo situatë për vite me radhe, ka rezultuar në humbje financiare për Kosovën. Por, duke qenë se Kosova ishte nënshkruese e Marrëveshjes së Komunitetit të Energjisë (në vitin 2006), nën përfaqësimin e UNMIK-ut, pati mundësi të hapte rastin pranë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë (në gusht 2008), për të vlerësuar se a janë veprimet e EMS-it të Serbisë në përputhje me legjislacionin e Komunitetit të Energjisë. Sipas ankesës, Serbia kishte dështuar ta përmbushë obligimet që dalin nga Traktati i Energjisë, përkatësisht kushtet për qasje në rrjet, për shkëmbime ndërkufitare të energjisë elektrike dhe të alokojë kapacitetin e transmetimit në interkonektorë me Palët Kontraktuese fqinje me Kosovën, përkatësisht Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Më 10 dhjetor 2015, KOSTT-i dhe ENTSO-E nënshkruan marrëveshjen e kyçjes. Përmes saj, KOSTT-i do të bëhej një zonë/bllok rregullator i pavarur, i ndarë nga EMS-ja e Serbisë, por së pari, Kosovës i’u kërkua të lëshojë një autorizim të funksionimit, për një kompani lokale në komunat veriore, Elektroseverin; e cila nuk arriti t’i përmbushë procedurat e licencimit, sipas ligjeve të Kosovës. Kompania kishte aplikuar disa herë në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit të Kosovës (ARBK) por aplikimi i saj ishte refuzuar pasi Statuti i Kompanisë nuk e thoshte shprehimisht që kompania do të operonte në Kosovë. Rrjedhimisht, për Kosovën, marrëveshja nuk zbatohet për shkak të refuzimit të Serbisë për t’a regjistruar kompaninë e re në Kosovë (e njohur si Elektrosever) sipas ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës.
Më 14 tetor 2016, Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë, doli me vendimin se Serbia nuk kishte arritur të përmbushë detyrimin e saj sipas Nenit 12 të Traktatit të Energjisë, lidhur me nenin 6 të Rregullores (KE) 1228/2003 pasi të hyrat nga mbingarkesa nuk ishin përdorur në përputhje me dispozitat e përmendura, dhe kërkoi nga ajo, që ti ndërmarrë të gjitha masat e duhura deri të dhjetor të vitit 2016. Por, meqenëse Serbia nuk ndërmori asnjë masë brenda afatit të dhënë, Sekretariati e inicioi një rast të ri ndaj Serbisë, më 13 tetor 2017, me pretendimin se Serbia nuk arriti të merrte masat e duhura për t’i korrigjuar shkeljet e identifikuara, duke e shkelur kështu legjislacionin e Komunitetit të Energjisë.
Në dhjetor të vitit 2019, KOSTT-i dhe OST e Shqipërisë nënshkruan marrëveshjen për krijimin e një blloku rregullator të përbashkët të sistemit energjetik, Kosovë – Shqipëri.
Në prill të vitit 2020, Grupi Rajonal i Evropës Kontinentale (një nga pesë zonat sinkrone të OST-ve anëtare të ENTSO-E) votoi me sukses (22 vota pro, 4 abstenime dhe 3 kundër -Spanja, Bosnja dhe Hercegovina dhe Sllovakia) marrëveshjen e re të koneksionit në mes të KOSTT-it dhe ENTSO-E.
Dy muaj më vonë, më 30 qershor 2020, KOSTT-i nënshkroi marrëveshje me ENTSO-E, e cila hyri në fuqi në fund të Shtatorit 2020.
Ky hap shënon pavarësimin elektro-energjetik të Kosovës nga Serbia, dhe sovranitetin e Kosovës sa i përket rrjetit të vet energjetik.
Tani Kosova:
- Nuk do jetë më pjesë bllokut të kontrollit SMM; dhe
- Do të operoj si zonë rregulluese e pavarur brenda bllokut Kosovë -Shqipëri (AK), në kuadër të zonës sinkrone të Evropës Kontinentale; gjë që do të sigurojë furnizim të pandërprerë të energjisë.
Një bllok i tillë i përbashkët, shënon fillimin e një epoke të re të bashkëpunimit në sektorin e energjisë në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe vendeve të tjera Evropiane. Një gjë e tillë do t’ua bëj më të lehtë operimin dhe balancimin të dy sistemeve (KOSTT dhe OST), do të zvogëlojë kostot dhe do të mundësoj shkëmbimet e rezervave.
Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në ENTSO-e, asaj ende i duhet të plotësoj kushte të tjera.