Dialogu Kosovë-Serbi: paradoks apo rrugë pa krye
22 prill 2022
Më shumë se një dekadë nga fillimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë, duket se procesi është shndërruar në një rrugë pa krye, teksa përfundimi i suksesshëm i tij është bërë më i paparashikueshëm dhe i pamundur.
Progresi apo ngecja e dialogut është varur më shumë nga liderët –se sa nga lidershipi- që përfaqësonte institucionet e larta të të dyja shteteve. Përderisa lehtësuesit e BE-së, grupet e tjera të interesit, zgjedhjet (e hershme apo të rregullta), kanë ndikuar padyshim në rrjedhën e dialogut, BE-ja dhe zhvillimet globale poashtu e kanë luajtur rolin e vet determinues. Shembujt më të fundit përfshijnë Marrëveshjen e Uashingtonit dhe ngërçin e zgjerimit të BE-së, të cilat kanë ndikuar në procesin e dialogut në disa mënyra. Sidoqoftë agresioni ushtarak i paprecedent i Rusisë ndaj Ukrainës është moment përcaktues në histori dhe përbën kërcënim të drejtpërdrejt ndaj paqes dhe demokracisë në gjithë botën. Një gjë e tillë madje i inkurajon mbështetësit e Putinit në Ballkanin Perëndimor të cilët mund të përpiqen të maksimizojnë përfitimet gjatë këtyre kohëve të vështira. Kjo ka të ngjarë të ndikoj rëndë në dialogun Kosovë-Serbi dhe të shpie në pasoja të tjera duke e cenuar akoma më shumë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në një kohë të tillë ku zhvillimet globale janë duke e përcaktuar fatin e botës, shkurtpamësia dhe mungesa e aktivitetit, në vend të vigjilencës dhe zhdërvjelltësisë, vetëm do ta dëmtojnë procesin dhe do të keqësojnë marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe të Serbëve dhe Shqiptarëve në të dy vendet.
Përderisa ka dallime fundamentale sa i përket agjendave politike, ambicieve dhe përfitimeve prej dialogut, nuk ka një kohezion të qartë në mes të atyre që janë të mveshur me përgjegjësi politike për ta drejtuar këtë proces. Ndonëse, për arsye të ndryshme, të dy qeveritë po dëshmojnë se një proces i tejzgjatur përtej të qenurit i pranueshëm dhe dëshirueshëm, është potencialisht përfitues. Qeveria e Serbisë duket që po e ndjek një politikë që mundëson bllokadë në dialog e cila duket se po i ofron më shumë kontroll në zgjedhje dhe në proceset e integrimit dhe anëtarësimit në BE, duke e forcuar rolin dhe ndikimin e saj në rajon dhe në botë. Qeveria e Kosovës duket më rehat dhe më e kënaqur me pozitën aktuale, dhe nuk po tregon ndonjë aspiratë më të forte se Integrimi Evropian dhe anëtarësimi në BE, sado i largët që mund të jetë si proces.
Megjithatë një gjë është e sigurt, Kryeministri i Kosovës Kurti dhe Presidenti i Serbisë Vuçiq as nuk e filluan por as nuk e përfunduan dialogun. Një përmbyllje e suksesshme e dialogut që filloi në vitin 2011, kërkon më shumë se dy liderë. Një gjë e tillë kërkon mbështetje të fortë dhe zgjidhje prej institucioneve të BE-së dhe Shteteve Anëtare, poashtu edhe prej ShBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar. Një përmbyllje e suksesshme e dialogut kërkon edhe motivim të ri. Nëse Rusia do të ketë ose jo ndikim në dialogun Kosovë-Serbi, varet nga rezultatet e luftës në Ukrainë. Të dhënat deri tani na tregojnë se Rusia është dënuar nga e gjithë bota; se ka humbur aleatët që i ka pasur para agresionit dhe para krimeve të saj në Ukrainë; dhe se Rusisë do i duhet një shekull për të marrë veten nga kjo ngjarje, pa marrë parasysh a e vlerëson si humbje apo fitore të njëjtën.
Bota po ndryshon shpejtë dhe se zhvillimet globale kanë implikime edhe për Kosovën dhe Serbinë. Megjithatë, dilema qëndron në faktin se a do të jenë qeveritë e të dy shteteve të gatshme për të kapur këtë momentum dhe për tu interesuar në të vërtetë në krijimin e një ambienti më të mirë për të dy shoqëritë që meritojnë një të ardhme premtuese.
Për momentin dialogu është shndërruar në paradoks apo një rrugë pa krye, ku përfundimi i suksesshëm i tij është i pa parashikueshëm dhe gjithnjë e më i pamundur. Çfarëdo përmbyllje e tanishme e procesit ka të ngjarë të shndërrohet në fillimin e një procesi tjetër të gjatë në mes të dy shteteve. Në formën e tij aktuale, procesi do të përndjek edhe gjeneratat e ardhshme. Mbështetja në vetëm dy lider, siç është rasti prej vitit 2011 kur ka filluar dialog, nuk është e qëndrueshme. Prandaj sot apo kurdo, vetëm një lidership vizionar është në gjendje të heq këtë bllokadë dhe të ndërtoj shoqëri më demokratike, paqedashëse dhe të begatshme.
Ky artikull fillimisht është shkruar në Gjuhën Angleze.
Ky artikull financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe nuk reflektojnë pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.