Dialogu- mjet për rritje të bashkëpunimit ekonomik rajonal

Sytrime Dervisholli

Sytrime Dervisholli

Prej vitit 2013, tregtia në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor (BP6) u formalizua me arritjen e marrëveshjeve bilaterale të tregtisë së lirë duke filluar me marrëveshjen e parë të tregtisë së lirë të nënshkruar në mes të Shqipërisë dhe Kosovës në korrik të vitit 2003, për të vazhduar me shtetet e tjera të BP6 sikurse Maqedonia e Veriut ose Mali i Zi. Një marrëveshje e tillë bilaterale, sidoqoftë, nuk ishte nënshkruar me Serbinë dhe me Bosnjë dhe Hercegovinën, si pasojë e çështjeve politike.

Pas bashkëpunimit të suksesshëm me shtetet nënshkruese, më 19 dhjetor 2006, shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia, nënshkruan Marrëveshjen për Amendamentimin dhe Zgjerimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore- CEFTA 2006. Objektivat e kësaj marrëveshje gjithëpërfshirëse janë: zgjerimi i tregtisë së mallrave dhe shërbimeve dhe nxitja e investimeve përmes rregullave stabile, të parashikueshme dhe të drejta, eliminimi i barrierave të tregtisë në mes të palëve, ofrimi i mbrojtjes së duhur të të drejtave intelektuale pronësore sipas standardeve ndërkombëtare dhe harmonizim të dispozitave të politikave të tregtisë sikurse rregullat e konkurrencës dhe ndihma shtetërore.

Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë elemente kyqe të procesit të anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, dhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.  Përmes integrimit me të thellë ndërmjet të rajonit të Ballkanit Perëndimor, shtetet do të rrisin madhësinë e tregut të tyre, do të përmirësojnë kualitetin e shërbimeve dhe do të tërheqin investime të huaja direkte.

Përkundër disa sukseseve, siç ishte Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian në mes të Kosovës dhe Serbisë, u bllokua.  Në vitin 2020, dialogu vazhdoi teksa u zhvilluan tri takime të nivelit teknik në mes të delegacioneve. Sidoqoftë mbetet të shihet nëse do të ketë takime të tjera lidhur me bashkëpunimin ekonomik, duke pasur parasysh ardhjen e qeverisë së re.

Sa i përket lirisë së lëvizjes ja vlen të përmendim një storie suksesi që ka ndodhur gjatë situatës epidemiologjike në vitin 2020. Shtetet e CEFTA-s me mbështetje të Sekretariatit të CEFTA-s, Sekretariatit të Komunitetit të Transportit dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, kanë themeluar të ashtuquajturin “Korridor të Gjelbër”. Kjo për të lehtësuar transportin dhe tregtinë e mallrave gjatë periudhës së COVID-19 duke identifikuar një numër të limituar të pikave të kalimit që do të funksiononin në të gjitha rrethanat. Korridori i Gjelbër filloi të operonte më 13 prill 2020 në baza 24/24 dhe 24/7. Qëllimi primar i korridorit është tregtia e mallrave pa barriera, sidomos mallrave esenciale: furnizime ushqimore, mallrat blegtorale, ushqime për kafshët, furnizime dhe pajisje medicinale dhe kimikate. Përveç disa sfidave të vogla që ndodhën në fillim të implementimit të Korridorit të Gjelbër në mes të Kosovës dhe Serbisë, iniciativa rezultoi e suksesshme. Kjo paraqet një shembull të mirë  që duhet të merret parasysh tek iniciativat rajonale të ardhshme.

Reformat ekonomike janë faktor kyç për progres në procesin e anëtarësimit në BE. Përmbushja e kritereve ekonomike është kërkesë përmbajtjesore për anëtarësim në BE, siç përcaktohet përmes kritereve të Kopenhagës. Sidoqoftë reformat ekonomike, sado të nevojshme, janë të pamjaftueshme për të garantuar një funksionim të duhur të ekonomisë së tregut. Lidhja e ngushtë në mes të reformave qeverisëse dhe të tregut është e ngulitur thellë në teori. Reformat mund të zbatohen në mënyrë të suksesshme nëse arrihet balancë e duhur në mes të adaptimit të Acquis të BE-së dhe ngritjes institucionale.

Sidoqoftë , ekziston një kusht kryesor që duhet të plotësohet për të thelluar integrimin rajonal dhe për të përmirësuar bashkëpunimit rajonal ekonomik. Çështjet politike në mes të Kosovës dhe Serbisë që kanë penguar përpjekjet për integrimit rajonal, duhet të adresohen me urgjencë si kusht i nevojshëm për sukses në BE dhe iniciativa të tjera. Nëse nuk ka progres në sferën politike në rajon, padyshim që do të ketë çështje të panumërta që do ta pengojnë progresin drejt rezultateve të pritshme prej iniciativave aktuale dhe atyre që pritet të ndodhin në të ardhmen.

Prandaj, në situatën aktuale nevojitet një zgjidhje realiste. Çdo zgjidhje që imponohet nga jashtë e që nuk e ndërron situatën ligjore, do t’i shërbej Serbisë e jo Kosovës. Serbia mund të përdor çdo përpjekje nga jashtë për të ngritur prezencën në rajon.

Si rezultat, zgjidhjet politike mund të jenë qenësore dhe mund të ndikojnë në konektivitetin ekonomik në rajonin e gjerë të Evropës Juglindore.

Ky artikull fillimisht është shkruar në Gjuhën Angleze.

Ky artikull financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe nuk reflektojnë pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.