Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen e Brukselit (emri origjinal: Marrëveshja e Parë e Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve) më 19 prill 2013. Një pjesë e kësaj marrëveshje i kushtohet formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, shkurt e njohur si AKS.

Bazuar në këtë marrëveshje, asociacioni do të ishte një strukturë e komunave me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e veriut, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Ranillug dhe Partesh, e cila synon t’i integrojë serbët në tërë territorin e Kosovës.

Ky asociacion, në veçanti synonte që të nxisë tranzicionin e serbëve të Kosovës (në komunat veriore), nga sistemi i Serbisë në atë të Kosovës, dhe që ta lehtësoj integrimin e plotë të strukturave të mbetura paralele në veri, përfshirë ato të shëndetësisë dhe arsimit.

Asociacioni mbështetet në Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale dhe në Planin e Ahtisarit.

Sipas marrëveshjes, kompetencat e AKS-së, do të ushtroheshin kolektivisht dhe përfshijnë vështrimin e plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë e kujdesit social si dhe planifikimit urban dhe rural.

Sa i përket strukturës së saj organizative,  AKS-ja do të përbëhej nga të njëjtat organe, sikurse asociacioni ekzistues i komunave të Kosovës:

  • një Asamble
  • një President
  • një Këshill
  • një bord
  • një administratë
  • një zyrë për ankesa

Një ekip menaxhues, i përbërë nga katër serbë prej komunave veriore, është ngarkuar me draftimin e statutit të AKS-së.

Asociacioni do të ishte i hapur për komunat që duan t’i bashkohen, ndërkaq shpërbërja do të ndodhte vetëm me vendim të komunave pjesëmarrëse.

Më 25 gusht 2015, Kosova dhe Serbia u pajtuan mbi Parimet e Përgjithshme/Elementet Kryesore të AKS-së. Marrëveshja përcaktoi kornizën ligjore, objektivat, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, zotësinë juridike si dhe dispozitat e përgjithshme dhe përfundimtare të Asociacionit.

Sipas kësaj, pasi të krijohej, AKS-ja do të kishte mundësi:

  • të propozoj amendamente të legjislacionit dhe rregulloreve të tjera relevante;
  • të inicioj ose marrë pjesë në procedurat gjyqësore në gjykatat kompetente, përshirë Gjykatën Kushtetuese, kundër çdo akti ose vendimi nga çdo institucion që ndikon në ushtrimin e kompetencave të AKS-së;
  • të nominoj përfaqësues në organet kompetente të qeverisjes qendrore dhe të kenë qasje në informata nga autoritetet qendrore, në përputhje me ligjin e Kosovës;
  • të posedoj pronë të luajtshme dhe të paluajtshme, që të ketë të drejtën e bashkëpronësisë së kompanive që ofrojnë shërbime lokale, brenda fushëveprimit të asociacionit dhe që të lidhë kontrata;
  • të ketë buxhetin e vet, bazuar në fondet e ngritura nga kontributet e anëtarësisë, të ardhurave të gjeneruara nga shërbimet e ofruara, transferimit nga autoritetet qendrore ose kontributet, grantet dhe donacionet nga asociacionet dhe organizatat – vendore dhe ndërkombëtare, si dhe nga Serbia;
  • të ketë simbolet dhe stemën e saj, në përputhje me ligjin e Kosovës; dhe
  • të ketë statutin e saj.

Kjo marrëveshje ishte kritikuar haptas nga opozita dhe publiku i gjerë në Kosovë. Ajo nxiti krizë të paparë në vend, përfshirë protesta masive. Opozita madje inicioi një peticion me 200,000 nënshkrime, të cilin e dorëzoi në Parlament.

E shtyrë nga tensionet në rritje, më 31 tetor 2015, Presidentja e Kosovës, parashtroi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për ta vlerësuar përputhshmërinë e “parimeve të përgjithshme/elementeve kryesore të AKS-së” me frymën e Kushtetutës.

Gjykata konstatoi se parimet nuk janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën, përkatësisht gjeti se:

  • Objektivat, organizimi strukturor, buxheti, mbështetja dhe dispozitat e përgjithshme të Asociacionit, i tejkalojnë standardet kushtetuese të Kosovës për vetëqeverisje lokale;
  • E drejta e nismave ligjore, ju garantohet ekskluzivisht Presidentit të Republikës së Kosovës, Qeverisë, deputetëve të Kuvendit ose së paku dhjetë mijë qytetarëve;
  • Asociacioni nuk mund të ketë autoritet të plotë dhe ekskluziv për të promovuar interesat e komunitetit serb të Kosovës, në marrëdhëniet e tij me autoritetet qendrore.

Pas verdiktit të gjykatës, zbatimi i marrëveshjes u bë i pamundur.

Si Kosova, ashtu edhe Serbia, refuzojnë të bëjnë kompromise të mëtejshme. Prishtina këmbëngul për zbatimin e marrëveshjes në përputhje me vendimin e Gjykatës, pa i’a njohur asnjë kompetencë ekzekutive AKS-së. Ndërkaq Beogradi e pranon krijimin e AKS-së vetëm në përputhje me marrëveshjen për Parimet e Përgjithshme/Elementet Kryesore dhe kompetencat e dakorduara në vitin 2015.

Deri më sot, Ekipi i Menaxhues, i cili ishte i ngarkuar me hartimin e Statutit, nuk e ka prezantuar punën e tij para përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, e as para Kosovës dhe Serbisë.

Palët vazhdojnë të mos bien dakord për aspektet thelbësore të AKS-së, përfshirë këtu edhe emrin e saj; Serbia që nga fillimi i referohet si Bashkësi ndërkaq Kosova i referohet si Asociacion.

 

Derisa këto dallime mbesin, AKS-ja vazhdon të jetë një mollë sherri, burim i polemikave dhe armiqësive, që po e dëmton  procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshjet në PDF