Arsimi – idealja për integrim ndëretnik

Rinor Qehaja

09 gusht 2021

Dialogu duhet të kthej për pragmatizëm jo ekstremizëm. Shpërqendrimi me dialogun ka kthyer në periferi gjithçka në interes të qytetarit  duke i’u subordinuar  interesit të politikës.

Përfitues nga një dialog i suksesshëm duhet të jenë qytetarët pikë së pari, ajo përditshmëria e tyre e përmirësuar nga se ka qenë. Përfitimi i rinjve nga dialogu duhet të jetë një arsimim dhe ekonomi më të mirë, që u mundëson një karrierë dhe jetë më të mirë. Migrimi ekonomik është përgjigja e të rinjve për mospërfillje.

Nga mos përfshirja në dialog ose moszbatimi i marrëveshjeve nga dialogu, shumë pak është arritur për arsimin në veçanti. Mos identifikimi i ngecjeve në zbatim të marrëveshjeve dhe mbi të gjitha vet statusi politik i dialogut për vite e bëri të pamundur çfarëdo përftimi ndërshtetëror ose të qytetareve nga këto “marrëveshje”. Debati i kot për dialogun ishte e vetmja çka u shërbye për qytetarin.

Tjetërsim i të rinjve nga temat politike është fakt. Të rinjtë janë në vazhdimësi duke u larguar nga tema procedurale dhe sistemore të politikës por shumë të interesuar në përftim dhe përmirësim të shpejtë të jetës së tyre dhe shoqërisë.

Arsimi nuk paraqet problem të pazgjidhshëm për dialogun mirëpo përkundrazi mundësi të mirë për sukses. Në fund të ditës një marrëveshje eventuale mund të zgjidh menjëherë administrativisht problemet e kamotshme, mirëpo tek arsimi, ndikimi shkon përtej dialogut – është mundësi ideale për integrim të shpejt ndëretnik.

Katalizator i integrimit ndëretnik duhet të jetë arsimi, dhe atë çoftë në një edukim më të mirë për emancipim më të mirë, por edhe si ekosistem për komunikimin dhe bashkëpunim. Tash mund të debatohet se si të arrihet kjo me një sistem të segreguar arsimor si tani?!

Është një kureshtje e madhe të rinjve të të dy nacionaliteteve për të njohur më shumë për tjetrin, për kulturën, gjuhën, e shumëçka tjetër, kjo kureshtje nga e panjohur dikur kthehet në biseda, debate e shoqëri – përkrahja e këtij interaktiviteti duhet të këtë nxitje, për të kaluar në një normale të re në vitet në vijim.

Për shumë të rinj institucioni i shkollës dhe i universitetit paraqesin një ambient të sigurt shpeshherë shumë të ndryshëm nga kufizimi i komunitetit lokal, ku të rinjtë gjejnë vetën më shumë sesa te retorika ndëretnike e politikës së televizionit – pra me një moment, këta të rinj kanë mundësinë të jenë të zëshëm dhe të debatojnë me bashkëmoshatarë  të barasvlershëm intelektualisht dhe në mendime.

Ambiente si kjo nxisin të rinjtë për reflektim. Ky integrim përmes sistemit arsimor ka për produkt edhe integrimin social dhe ekonomik po ashtu. Ata të rinj që janë rahat me bashkëmoshatarët e tyre ndëretnik gjatë studimeve do të jenë shumë në rregull në të bërit biznes me të njëjtit në të ardhmen, dhe mbi të gjitha në respekt dhe komunikim të hapur ndëretnik.

Kjo formulë nuk paraqet risi por rikujtim për mundësi. Plot shembuj të mirë të bashkëpunimin të të rinjve në shkolla dhe universitet janë indikator i mundësisë për sukses, pa zhurmë mirëpo si një e natyrshme e re. Në fund të ditës neve nuk mund të imponojmë integrim por mund të krijojmë mundësi për të rinjtë për bashkëpunim. E vetëdija e të fundeve për përfitime nga komunikimi i hapur ndëretnik është gjithherë në rritje. Skema të ndryshme të shkëmbimeve, bursave dhe granteve nxisin për integrim mirëpo jo sa një i ri/ e re që komunikimin ndëretnik e ka pjesë normale të arsimimit të tyre.

Aktivizimi i qytetareve për integrim ndëretnik ishte aktivizim i të rinjve për integrim. Produkti i dialogut mund të jetë i ndryshëm, mirëpo e ndryshme duhet të jetë edhe jeta e qytetareve pas dialogut.

Ky shkrim fillimisht është shkruar në Gjuhën Shqipe.

Ky shkrim financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe nuk reflektojnë në pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.