Takimi i radhës i Grupit Implementues të Marrëveshjes së IBM-it
Bruksel, 23 qershor 2016
Më 23 qershor 2016, Kosova dhe Serbia u takuan në Bruksel për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes së IBM-it.
Temë qendrore e këtij takimi ishte shqyrtimi i progresit lidhur me ndërtimin e ndërtesave të përhershme të IBM-it.
Kryesuesi i BE-së, Bernd Thran, në takim theksoi rëndësinë e progresit të arritur në këtë drejtim.
Delegacioni i Republikës së Kosovës prezantoi progresin e arritur në përmbushjen e obligimeve të saj, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin konstruktiv me UNOPS-in dhe zyrën e BE-së në Kosovë.
Nga ana tjetër, UNOPS e bëri prezantimin e përgjithshëm të progresit të arritur sa i përket këtij projekti, duke e vlerësuar lartë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në të gjitha fazat e zbatimit, si dhe duke theksuar efektivitetin e palës së Kosovës për të gjitha çështjet e trajtuara së bashku. UNOPS poashtu konstatoi se pala serbe është shumë prapa për në implementimin e këtij projekti.
Në këtë takim u raportua po ashtu për progresin në hapjen e pikë-kalimeve të reja kufitare, Kapi e Sfircës që lidhë komunën e Kamenicës me Medvegjën dhe Izvor në pjesën veriore.
Në fund, palët diskutuan edhe për aspektet tjera që ndërlidhen më bashkëpunimin ndërkufitar të policisë, doganave dhe agjencive tjera që funksionojnë në kufirin në mes të dy shteteve, sidomos lehtësimi në qarkullimin e qytetarëve tanë gjatë stinës së verës.
Delegacioni i Republikës së Kosovës i drejtuar nga ministrja Edita Tahiri kishte në përbërje anëtaret e Grupit punues për IBM: Dren Zeka, këshilltar kryesor politik dhe koordinator i çështjes; Qemajl Marmullakaj, drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik; Arben Çitaku, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor; Driton Gashi, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme; Shaban Guda, drejtori i Policisë Kufitare; Valdet Gjinovci, kryeshef i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit dhe Bekim Mehmetaj, koordinator në Doganat e Kosovës për IBM.