Memorandum Mirëkuptimi për Njohjen e Ndërsjelltë të Policave të Sigurimit të Automjeteve
Bruksel, 23 qershor 2015
Si pjesë e Dialogut, Kosova dhe Serbia arritën në Memorandum Mirëkuptimi për Njohjen e Ndërsjelltë të Policave të Sigurimit të Automjeteve, nën lehtësimin dhe garantimin e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit Evropian të Byrove.
Kjo marrëveshje u nënshkrua në prani të përfaqësueses së lartë të BE-së, znj. Federica Mogherini, Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa, dhe Kryeministrit të Serbisë, z. Aleksandar Vuçiq.
Kjo marrëveshje u iniciua me këmbëngulje të palës kosovare dhe ishte pjesë e diskutimeve të vazhdueshme që nga fillimi i vitit 2013.
Përmes kësaj automjetet e regjistruara në Kosovë do të jenë në gjendje të kalojnë në territorin e Serbisë me sigurim MTPL, ndërsa automjetet e regjistruara në Serbi do të jenë në gjendje të kalojnë përmes Kartonit të Gjelbër.
Në këtë mënyrë palët kanë hequr një pengesë të padrejtë drejt lirisë së lëvizjes së qytetarëve të Kosovës.
Kjo marrëveshje gjithashtu mundëson krijimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë ndërmjet Byrosë së Sigurimeve të Kosovës dhe Shoqatës së Siguruesve të Serbisë.
Marrëveshja është sidomos në interes të qytetarëve të Kosovës meqë mundëson uljen e kostos së kalimit kufitar me automjete.
Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Ministrja Edita Tahiri ishte i përbërë nga Qemajl Marmullakaj, Koordinator i Çështjeve të Sigurimeve; Rahim Pacolli, Drejtues i delegacionit në nivel teknik dhe Kryetar i Asamblesë së Sigurimeve dhe Faton Abazi, Drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.