Arrihet Marrëveshja për Njohjen Reciproke të Certifikatave ADR
Bruksel, 20 prill 2016
Më 20 prill 2016, pas bisedimeve maratonike, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për njohjen reciproke të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme të ADR-së në mes të dy shteteve.
Ministrja e Kosovës për Dialog, Edita Tahiri theksoi se me ketë marrëveshje, të dyja shtetet janë pajtuar për njohjen reciproke të certifikatave të ADR-së, sipas konventës së OKB-së për certifikatat e ADR-së (certifikatat për vozitësit dhe certifikatat për automjete) dhe të standardeve ndërkombëtare dhe evropiane për transportin e mallrave të rrezikshme.
Kjo marrëveshje u arrit pas tetë muaj bisedimesh dhe pasi Kosova vendosi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Marrëveshja në fjalë hynë në fuqi nga data 25 prill 2016 dhe zbatimi i saj është garantuar nga Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut të Brukselit.
Gjatë këtyre bisedimeve, palët kanë diskutuar edhe për çështje të tjera.
Ministrja Tahiri ka ngritur shqetësimet në lidhje me fushatën elektorale provokative të zyrtarëve të Serbisë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë. Ajo ka kërkuar që BE-ja që të përcaktoj qartësisht standardet nën frymën e normalizimit në mënyrë që të parandalohen shfaqjet destruktive dhe keqpërdorimet e marrëveshjes për normalizim nga ana e zyrtarëve serb.
Në këtë aspekt, pas kërkesës së BE-së për angazhim të palëve që të veprojnë nën frymën e normalizimit dhe pas kërkim faljes nga ana e z. Marko Gjuriq për hyrje ilegale në Kosovë, palët janë zotuar që të respektohet marrëveshja për vizitat reciproke të zyrtarëve.
Kosova dhe Serbia tutje diskutuan për çështjen e hyrjeve/ daljeve në Kosovë me letërnjoftime ilegale të lëshuara nga strukturat paralele. Ministrja Tahiri theksoi se “qytetarët serb në Kosovë të pajisen me lejet e njoftimit të Republikës së Kosovës përndryshe do tu ndalet qarkullimi”.
Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Ministrja Tahiri kishte në përbërje edhe Hykmete Bajrami, Ministre e Tregtisë dhe Industrisë; Gazmir Raci, këshilltar politik i ministres Edita Tahiri dhe koordinator i çështjes; Fejzulla Mustafa, udhëheqës i sektorit të transportit të mallrave të rrezikshme në Ministrinë e Infrastrukturës; Bekim Mehmetaj, udhëheqës i sektorit IBM në Doganën e Kosovës; Lulzim Krasniqi, këshilltar politik i ministres Bajrami dhe Zef Dedaj, udhëheqës i divizionit për politika tregtare në Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë.
Për çështjen e vizitave reciproke në delegacion ishte Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i ministres Tahiri; Elona Cecelia, këshilltare politike e ministres Tahiri dhe Haxhi Bajraktari, ministër këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Bruksel, ndërsa për çështjen e letërnjoftimeve ilegale ishte Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i ministres Tahiri dhe Shaban Guda, drejtor i policisë kufitare.