Takimi i Grupit Implementues të IBM-it
Bruksel, 18 mars 2014
Nën kryesimin e zëvendëskryeministres Edita Tahiri, delegacioni i Kosovës qëndroi në Bruksel për të marrë pjesë në takimin e radhës për zbatimin e Marrëveshjes së IBM-it dhe të protokollit teknik. Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, grupi punues trepalësh ka diskutuar për aspekte të rëndësishme të zbatimit të marrëveshjes së IBM-it.
Fokusi i këtij takimi ishte konkludimi i aspekteve që ndërlidhen me çështjen e ndërtimit të ndërtesave të përhershme të IBM-it në të gjashtë pikë-kalimet kufitare në mes dy shteteve. Këto ndërtesa të përhershme të IBM-it do të mundësojnë një kontroll më të avancuar kufitar që do të kontribuojë në lehtësira të mëtejme të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave e po ashtu në rritjen e sigurisë dhe bashkëpunimit ndër-fqinjësor.
Komisioni Evropian rikonfirmoi zotimin për të financuar ndërtimin e këtyre pikë-kalimeve kufitare të IBM-it.
Në këtë takim u diskutua edhe për zbatimin e marrëveshjes për ndihmë reciproke juridike.
Çështjet tjera që u diskutuan në këtë takim përfshinin aspektet e zbatimit të marrëveshjes së IBM-it. Të dy palët paraqiten arritjet dhe adresuan sfidat në këtë aspekt, me theks të veçantë u bisedua për problemet e shfaqura rishtazi me certifikatat fitosanitare ku pala serbe kishte vepruar në kundërshtim me marrëveshjen. Por pas masave reciproke të institucioneve të Kosovës, si dhe ndërmjetësimit e BE-së, pala serbe ishte zotuar të zbatojë me përpikëri marrëveshjen si dhe të tejkaloj sfidat në këtë fushë.
Delegacioni i Kosovës shtroi edhe çështje tjera që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave duke kërkuar që të respektohen plotësisht marrëveshjet e Brukselit.
Delegacioni i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri përfshinte po ashtu Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i zëvendëskryeministres Tahiri; Fisnik Rexhepi, këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Brendshme; Shaban Guda, ndihmës drejtor për çështje të kufirit në Policinë e Kosovës; Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit; Murat Meha, kryeshef i Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Bekim Mehmetaj, udhëheqës i zyrës për MIK në Doganat e Kosovës.